Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, OKB diskuton në 17 prill: Pjesë e nismës dhe Shqipëria

10 April 2024, 20:11Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, OKB diskuton në 17
Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë

Një projektrezolutë që e shpall 11 korrikun si Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, do të prezantohet më 17 prill në një takim me dyert të mbyllura në OKB.

Ruanda dhe Gjermania po e udhëheqin këtë iniciativë, por sipas informacioneve jozyrtare në hartimin e tekstit po marrin pjesë edhe Shqipëria, Shtete të Bashkuara, Bosnje dhe Hercegovina, Kili, Finlanda, Jordania, Zelanda e Re e Turqia.

Serbia është duke lobuar fort kundër projektrezolutës, por ka pak shanse për të arritur bllokimin e saj.

Shtetet anëtare do të mund të deklarohen mbi të gjatë seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, në fillim të muajit maj. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës  vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Projektrezoluta e OKB-së bën thirrje për dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të të gjitha viktimave dhe kërkon vazhdimin e ndjekjes penale të autorëve të gjenocidit.

Ajo i dënon, gjithashtu, veprimet që nderojnë ë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Beogradi zyrtar, prej vitesh, kundërshton miratimin e rezolutave apo deklaratave që krimin në Srebrenicë e cilësojnë si gjenocid.

Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u dënua më burgim të përjetshëm në vitin 2019 për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës, lidhur me rolin e tij udhëheqës në fushatën e terrorit ndaj popullsisë civile, përfshirë masakrën e Srebrenicës, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.


Video