Regjisori Edmond Budina ishte i pari që e mori fjalën në protestën e thirrur nga opozita e bashkuar.
Budina tha para mijëra protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” se kjo protestë ishte kundër mafias së pushtetit. Mes të tjerash ai pohoi se qytetarët duhet të protestojnë deri në mosbindje civile, që të arrihet fitore.
“Përshëndetje popullit opozitar, këtij populli që e ka shembur frikën dhe e ka mbushur këtë shesh. Ne nuk jemi këtu për keqqeverisjen e vendit por kundër mafies së pushtetit e cila e ka uzurpuar pushtetin dhe në krye të së cilës është Mr. Charteri 22 milionë. Prandaj jemi këtu që ta ndalojmë këtë mafie që është në pushtet. Ai na tha që ne që protestojmë jemi pa fe dhe atdhe. Por ai atdhe ka paranë, ai fe ka drogën, flamur ka shitjen e interesave të atdheut.
Mos mendoni se prijësit tanë do të na zbresin nga qielli. Ndoshta s’kemi pasur kurrë perfekt por duhet të luftojmë bashkë që të themi që luftën tonë do ta vazhdojmë deri në fund. Ne jemi kundër dhe nuk do të pranojmë. Ne jemi këtu për ti thënë jo drogës, jo shpopullimit të atdheut, jo shpërbërjes kombëtare jo varfërisë jo shthurjes, dhe jemi për ti thënë jo mafies. Ju ftoj që protestat të mos ndalin asnjëherë pa e shkulur mafien e pushtetit”, tha Budina.