Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kërkojnë që Kongresi të hetojë marrëdhënien e dhëndrit të ish-Presidentit Donald Trump me Edi Ramën.
Kërkesa është dorëzuar nga kongresmenët, Jamie Raskin dhe Robert Garcia.
Në shkresë kërkohet të hetohet mundësia që marrëveshjet e biznesit që Jared Kushner synon të nënshkruara me Shqipërinë dhe Serbinë të arrihen përmes ndikimit që dhëndri i Donald Trump ka te ish-Presidenti dhe ndoshta premtimin për mbështetje politike në Uashington nëse Trump zgjidhet President sërish.
Dy demokratët thonë se këto marrëveshje potenciale biznesi mund të rezultojnë kërcënime të mëdha për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Demokratët i referohen artikullit të “New York Times”, që raportoi se Jared Kushner ishte afër finalizimit të marrëveshjeve për investime në Shqipëri dhe Serbi, duke shfrytëzuar marrëdhëniet që ai ndërtoi gjatë kohës së tij si këshilltar i lartë i vjehrrit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Në ndjekjen e mundësive për investime në Shqipëri, Kushner dhe këshilltari i tij, sipas artikullit, Richard Grenell, një tjetër ish-zyrtar i lartë i administratës Trump kanë përdorur hapur marrëdhënien e tyre me Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë. Duke iu referuar çështjes McGonigal, demokratët pretendojnë se pikërisht gjatë presidencës së Donald Trump Edi Rama kreu pagesa të paligjshme në SHBA.
Projektet e Kushner në Shqipëri e Serbi
Dhëndri i Donald Trump ka konfirmuar se është në diskutime me autoritetet në Serbi dhe Shqipëri për të zhvilluar disa projekte ndërtimore.
Në Serbi, ai planifikon ndërtimin e dy godinave rezidenciale, hoteli dhe shërbimesh në vendin ku sot ndodhet godina e bombarduar e ish shtabit të ushtrisë jugosllave.
Projekti ka nxitur kundërshti në Beograd, ku vetëm në 24 orë mbi 10 mijë persona kanë firmosur një peticion për ndalimin e tij.
Në Shqipëri, Jared Kushner projekton hotele, resorte dhe komplekse vilash luksoze në Sazan, Zvërnec dhe Ksamil.
Ideja në Sazan është konfirmuar edhe nga Kryeministri Edi Rama. Ai tha se investimi është serioz, por se është ende në fazë shqyrtimi nga autoritetet shqiptare.
“Ky Komitet nuk mund të pretendojë se po “heton përpjekjet e shtetasve të huaj” për të synuar dhe detyruar anëtarët e familjes së zyrtarëve të lartë amerikanë duke ofruar para ose përfitime të tjera në këmbim të veprimeve të caktuara, ndërkohë që vazhdon të injorojë këto çështje”, shkruajnë dy ligjvënësit demokratë.
Kushner tha për Times se marrëveshjet, përmes firmës së tij të investimeve Affinity Partners, nuk janë finalizuar ende, por ato janë ‘shumë afër’.
Firma e Kushner-it tashmë është në shënjestër nga demokratët edhe për financimin prej 2 miliardë dollarësh që ajo përfitoi nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite, në një kohë që princi i kurorës akuzohej për vrasjen makabre të gazetarit Khashogi.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.