Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në panairin e madh të turizmit ITB në Berlin, duke prezantuar disa nga arritjet e vendit tonë në fushën e turizmit, si dhe duke u bërë thirrje gjermanëve të zgjedhin vendin tonë si destinacionin të tyre të radhës për të pushuar.
Rama falënderoi organizatorët e eventit që i dhanë mundësinë vendit tonë të prezantojë ofertën turistike, duke thënë se realiteti sot është ndryshe nga stigma që të huajve u është thënë për vite të tëra për Shqipërinë
Pjesë nga fjala e Ramës:
Kemi kafen më të mirë, krahasuar me lëngun ngjyrë kaf tuajin, dhe kjo është më e pakta që mund të them, pa ofenduar miqtë tanë këtu. I duam turistët gjermanë se pinë shumë birrë dhe hanë shumë. Gjermanët të japin përshtypjen si njerëzit që punojnë më shumë, por ata janë edhe njerëzit që pushojnë më shumë, duke lënë pas edhe kinezët.
Patëm një rritje me 2.5 herë të GDP-së së brendshme, dhe tani po i shtojmë edhe më shumë përvojave, ku në një vend vetëm prej 28 mijë km katrorë, mund të gjesh dy dete, 9 lumenj, fusha, liqene, male, duke përjetuar rërën e nxehtë dhe alpet zvicerane në një udhëtim pak orësh. Për ne të kemi këtë vend në ITB Berlin është diçka që askush në vendin tonë nuk e imagjinonte që do të ndodhte. Është një përvojë kaq përulëse, dua të falënderoj së pari ITB, që na lejoi të shijojmë këtë shpërblim, mundësinë për t’i treguar botës se jemi shumë ndryshe nga sa stigma në shumë vende të botës ka treguar për ne.