Edi Rama këtë të shtunë gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS ka njoftuar ndryshime të drejtuesve politikë të qarqeve.
Sipas vendimeve të marra, Eduard Shalsi largohet nga drejtimi politik i Kukësit dhe do të angazhohet në një njësi në Tiranë.
Ndërkohë, Damian Gjiknuri do të marrë drejtimin e një njësie po në kryeqytet.
Po ashtu, tre figura të njohura të PS-së, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla dhe Erion Braçe, janë caktuar në Njësinë Nr. 5 në Tiranë.
Po ashtu, Elisa Spiropali, thuhet se do të drejtojë gjithashtu një njësi në Tiranë.
Këto ndryshime vijnë në kuadër të riorganizimit të strukturave të Partisë Socialiste, e cila ka argumentuar se duhet forcimi i pranisë dhe organizimit në kryeqytet.
Në statistikat që publikoi më herët sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, u shpreh se ndonëse Tirana ishte fituar nga socialistët, nuk ishte në maksimumin që ishte kërkuar.
Për këtë arsye Rama ka menduar që të forcojë ekipin e Tiranës, edhe për faktin se ish-drejtuesi politik dhe kryebashkiaku i Tiranës që ishte një makineri votash, është në burg prej një viti.