Putin njohu dy republika brenda Ukrainës, reagon me urgjencë Xhaçka e Meta

21 February 2022, 21:15Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Putin njohu dy republika brenda Ukrainës, reagon me urgjencë
Ministrja e Jashmte e Shqipërisë, Olta Xhaçka

Shqipëria është ndër vendet e para botës që ka reaguar pas vendimit të Vladimir Putin për njohjen e Donetskut dhe Luhanskut si Republika të pavarura nga Ukraina.

"Shqipëria dënon njohjen e pavarësisë nga Rusia, të rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk. Kjo është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut si dhe cënim i intregriteti territorial dhe pavarësisë së Ukrainës. Shqipëria qëndron krah aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mbështetje të Ukrainës", tha ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka. 

Vendimin e Rusisë e dënoi edhe Presidenti Ilir Meta.

"Dënoj njohjen e Pavarësisë së rajoneve separatiste në Ukrainën Lindore të Donetskut dhe Luhanskut. Ky akt unilateral është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut, si dhe minon integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Shqipëria qëndron e bashkuar me partnerët dhe aleatët në mbështetje të Ukrainës", tha Meta.

Kremlini njoftoi më herët se Presidenti rus, Vladimir Putin kishte vendosur që të njohë pavarësinë e dy republikave separatiste të Luhanskut dhe Donetskut në Ukrainë, në një lëvizje të ngjashme që çoi aneksimin e Krimesë në 2014-n.

Vendimi është marrë pasi Presidenti rus u takua me dy të vetëshpallurit presidentë të dy republikave separatiste të ngritura nga prorusët në Ukrainë, si dhe thirrjes së Dumës Ruse një javë më parë që të njohë pavarësinë e tyre.

Një skenar i tillë ishte paralajmëruar më herët nga Perëndimi, se Putin do të njohë këto dy republika për të justifikuar dërgimin e trupave ruse me pretekstin e mbrojtjes së rusëve në këtë zonë të Ukrainës.


Video