Kërkesa e PD-së për shkarkimin e Niko Peleshit është rrëzuar me 79 vota kundër. 10 deputetë votuan pro, zero abstenim. PD nuk mori pjesë.
Demokratët pretendojnë 5 shkelje të rënda të rregullores nga Peleshi dhe i kanë përqendruar argumentet e tyre në dy seancat e 16 dhe 18 shtatorit, ku u ndryshua rregullorja që e çoi numrin e komisioneve të përhershme parlamentare në 11, dhe mosrealizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës 'Rama 4'.
Ivi Kaso, në emër të PD-së, tha se ata nuk po kërkojnë ndëshkimin e një personi, por kthimin e Kuvendit në standartet institucionale. Sipas tij, kjo kërkesë është një thirrje për përpjekje të përbashkëta, për të ndaluar rrëshkitjen e institucionit në një “institucion të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët”.
"Kjo nismë për shkarkim nuk është aksioni i radhës për një opozitë, apo akt politik i zakonshëm por thirrje për një përpjekje të përbashkët për të ndaluar një rrëshkitje të rrezikshme të këtij kuvendi drejt një institucioni të heshtur, të nënshtruar dhe të zbrazët nga përmbajtja. Nuk kërkojmë ndëshkimin e një personi të vetëm por rikthim të standarteve institucionale.”, tha mes të tjerash Ivi Kaso.