Konferenca e Kryetarëve nuk ka arritur konsensus për dy kërkesat e PD për komisionet hetimore.
Bëhet fjalë për rastin e ndërhyrjeve në sistemin TIMS dhe për koncesionet në shëndetësi, siç janë çështja e sterilizimit dhe check-up-i.
Një prej komisioneve do të hetonte koncensionet në shëndetësi, ku përfshihen sterilizimi dhe check-up.
Ndërkohë, i dyti do të hetonte mënyrën e trajtimit të të dhënave personale të qytetarëve, që sipas një kallëzimi në Prokurorinë e Tiranës nga ana e AMP dyshohet se kanë rrjedhur nga sistemi TIMS.
Kryetari i Grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar socialistët në Konferencën e Kryetarëve se po përpiqet të bllokojnë nismat ligjore që kërkon të ndërmarrë opozita.
“Nëse keni pretendime për objektin, hajdeni ta riformulojmë. Por ju kërkoni të mohoni të drejtën e opozitës duke shkelur Kushtetutën e Shqipërisë. Po shkelni çdo parim demokratik, duke i mohuar opozitës çdo hapësirë. Është Kushtetuta, që i garanton opozitës të drejtat për komisionet hetimore”, është shprehur Bardhi.