PD refuzon Presidentin/ Noka dhe Bardhi: Data e zgjedhjeve është caktuar nga Taulant Balla, Begaj vetëm i vë vulën!

21 November 2024, 13:49Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PD refuzon Presidentin/ Noka dhe Bardhi: Data e zgjedhjeve është
Flamur Noka/ Gazment Bardhi

Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi i ka quajtur farsë konsultimet me Presidentin Bajram Begaj për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke u shprehur se dita kur do të zhvillohen është caktuar nga kryeministri Edi Rama.

Bardhi u shpreh se janë ftuar nga Kreu i Shtetit për të marrë pjesën në konsutime, ditën e hënë në orën 10:30, por theksoi se refuzon të përfshihet në një proces farsë.

“Tashmë Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet”, shprehet Bardhi.

Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka thotë se PD nuk do të marrë pjesë në atë që e ka quajtur farsë për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare 2025.

“Ne jemi opozita e vendit dhe  nuk mund të marrim pjesë në farsa. Data është caktuar. E ka shpallur Taulanti para tre muajsh. Me këtë  paracaktim Presidenti i bie të jetë jo mëkëmbësi  i Rames, por i Taulantit', tha Noka.

 


Video