PD: 11 maji është ditë zgjedhjesh, të negociohen data të reja për zhvillimin e ‘Giro d’Italia’ në Shqipëri

16 March 2025, 10:40Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PD: 11 maji është ditë zgjedhjesh, të negociohen data
Genta Vangjeli dhe çiklistë në garë Giro D'Italia

Partia Demokratike me anë të zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli ka kërkuar data të reja për zhvillimin  e ‘Giro d’Italia’ në Shqipëri, pasi 11 maji është ditë zgjedhjesh dhe strukturat e shtetit duhet të jenë të angazhuara në sigurinë e tyre.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Edicioni i 108 i ‘Giro d’Italia’ që do të zhvillohet në Shqipëri në Maj i kushton vendit tonë 7 milionë euro dhe do të mbulohen nga fondi rezervë i buxhetit.

Më herët është alokuar fondi 1 milion euro për organizatorët, ndërsa në datën 6 Mars me anë të VKM nr.147 u miratua fondi 4 milion euro për financimin e këstit të dytë të kontratës për realizimin e tri tureve të para të ‘Giro d’Italia 2025’ dhe diferenca pritet të akordohet në vijim.

Itinerari i eventit përfshin qytetin e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës nis në datën 9 Maj, e vijon në datat 10 dhe 11 Maj, kjo e fundit ditë që përkon me datën e dekretuar nga Presidenti për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.

Në kuadër të zhvillimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm për shqiptarët, data 11 Maj është e papërshtatshme për zhvillimin e garave të çiklizmit.

Në këto kushte, Partia Demokratike kërkon të negociohen data të reja për zhvillimin e këtij eventi duke qenë se strukturat mbështetëse të këtij eventi kulturor ku përfshihet edhe Policia e Shtetit duhet të jenë në gatishmëri të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.


Video