Pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kreu i qeverisë, Edi Rama zotohet se mbështetja e Partisë Socialiste për institucionet e reja të drejtësisë mbetet e palëkundur, pavarësisht kritikave që sipas tij janë konstruktive.
Për të bërë një ndasi të qartë mes retorikës së tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha kundrejt SPAK-ut, kryeministri deklaroi se do të mjaftonte vetëm një ftesë për bashkim votash me opozitën për të mundësuar shkrirjen e prokurorisë së posaçme.
Rama: “Një fishkëllimë bufit dhe e di si vinte bufi apo jo, e di si vinte, ai buf – bufi me një fishkëllimë. Me një fishkëllimë se e sillte tmerri që ka nga drejtësia, e sillte tmerri që ka nga SPAK-u, e sillte tmerri që ka me të kaluarën që nuk e blen dot, me të kaluarën që nuk e ndryshon dot, me të kaluarën që është aty dhe që e persekuton, çdo ditë, çdo natë. Menjëherë vinte dhe nuk kishte më SPAK dhe do të shikonit që nuk do hapte më gojë Amerika, sepse ka ndryshuar qasje, ka ndryshuar rrugë për momentin, ka ndryshuar filozofi për mënyrën se si i qaset vendeve të tjera, etj, etj. Është puna e saj, puna e një superfuqie.”
Rama kritikoi prokurorinë e posaçme, sa i takon respektit të treguar për prezumimin e pafajësisë të personave në hetim.