Socialisti Niko Peleshi është zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë me 84 vota pro, 3 kundër dhe 0 abstenim. Në votim morën pjesë 87 deputetë.
Komisioni i përkohshëm i ngritur për të administruar votat e zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri përbëhej nga Fadil Nasufi, Saimir Asalla dhe Bledi Çomo, të propozuar vetëm nga PS pasi PD refuzoi të merrte pjesë në proces.
Kolegu socialist Vasil Llajo, teksa e uroi për detyrën e re, tha se Peleshi do të jetë kryetari i parë i Kuvendit të Shqipërisë, si pjesë e Bashkimit Europian.
Opozita bojkotoi seancën, duke përplasur tavolinat herë pas here edhe gjatë fjalës falenderuese të Peleshit, ndërsa maxhoranca duartrokiste.
"Besimi që më dhatë sot duke më zgjedhur kryetar të Kuvendit është nder dhe përgjegjësi e madhe që e pranoj me përulësi dhe përkushtim. Përvoja ime e punës në parlament dhe qeveri, dijet dhe energjitë e mia do të vihen në shërbim të këtij vendi, në shërbim të Shqipërisë dhe qytetarëve. Për të shërbyer në këtë moment historik, angazhohem për ta kthyer këtë besim në një shtysë për të punuar me përkushtim çdo ditë. Falenderoj Spiropalin për punën e saj gjatë vitit të fundit të legjislaturës së kaluar. Falënderoj të gjithë deputetët pavarësisht votës pro apo kundër. Do të bëj gjithçka mundem për të garantuar punën e drejtë në Kuvend.
Sot është radha jonë të hapim dyert e Shqipërisë në familjen europiane, do të ecim me transparencë, gjithëpërfshirje në çdo hap. Shqipëria është një nga popujt më proeuropian në Evropë. Ky nuk është thjesht një betim, por një angazhim që kërkon punë të pandërprerë drejt rrugëtimit europian që është më afër se kurrë në këtë histori. Në këtë rrugëtim, Kuvendi është një institucion shumë i rëndësishëm", tha ndër të tjera Peleshi.