“Ndalni eksitimin e ministreve”, Grida Duma denoncon Berishën për gjuhë seksiste

17 February 2022, 21:39Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Ndalni eksitimin e ministreve”, Grida Duma denoncon Berishën

Seanca e sotme Kuvend pati edhe një debat për gjuhën seksiste. Shkak u bë një deklaratë e deputetit të PD-së, Ferdinand Xhaferraj që i konsideroi ministret në qeveri si “çupëlina”. 

Deputete të krahut të majtë dhe të djathtë, secila sipas mënyrës së tyre e kritikuan Xhaferajn për termin e përdorur duke e nxitur të kërkojë ndjesë.

Pasi i dëgjoi të gjitha zonjat me radhë, Xhaferaj në fund u ngrit në këmbë dhe këmbënguli që fjalët e tij janë nxjerrë nga konteksti, megjithatë në fund kërkoi ndjesë. Ai tha se të paktën ky debat shërbeu për të sensibilizuar për një çështje si seksizmi.

“Faleminderit të gjitha zonjave. Foli pak ministrja Kumbaro. Unë përveç të tjerave feminizmin e jap leksion në universitet. Fjalët u nxorën nga konteksti. Por edhe pse fjalët u nxorrën nga konteksti, këto 30 minuta shërbyen për të folur dhe sensibilizuar për një çështje seksizmi që në Shqipëri vërtetë ekziston dhe duhet të bëjmë hapa përpara. Unë kërkoj ndjesë”, tha Xhaferaj. Pas këtyre të gjitha zonjat duartrokitën.

Ndërkohë, në krah të Xhaferajt ka dalë sonte kolegia e tij, Grida Duma, që shpesh ankohet për gjuhë seksiste në politikën shqiptare. Ajo tha se Xhaferri hyn tek deputetët xhentilë.

“Sikur kjo të quhej seksizëm do të ishim shumë mirë. Zoti Xhaferi hyn te deputetë më xhentëlmen. Unë e kuptoj e kishte në kontekstin fëmijë, çupëlina në sensin e ministreve të vogla në moshë që nuk kanë përvojën”, – tha deputetja në ABC.

Duma tha se skandaloze ishte deklarata e Berishës i cili tha “ndalojeni eksitimin e ministreve”.

“Në atë sekondë, Berisha më mbrapa tha “ndalojeni eksitimin e këtyre ministreve këtu” dhe nuk reagoi askush. Do të më kishte pëlqyer që të kishin të njëjtin reagim, të kishin të njëjta këllqe. Me një njeri që nuk guxojnë të reagojnë sillen pikërisht si çupëlina”, – tha Duma.

 


Video