Mori 500 mijë dollarë nga Rusia? Vjen reagimi i Lulzim Bashës: S’kemi marrë kurrë financim nga Moska

14 September 2022, 11:30Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mori 500 mijë dollarë nga Rusia? Vjen reagimi i Lulzim Bashës:
Basha dhe Putin

Ish-kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar pas lajmit të publikuar në media se një zyrtar i lartë amerikan ka konfirmuar se Rusia ka shpenzuar rreth 500 mijë dollarë për të mbështetur Partinë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Përmes një reagimi në Twitter, Basha mohon se ka marrë financime të huaja, sidomos nga Moska. Ai shton më tej se PD bashkëpunoi me drejtësinë, e cila ka hedhur poshtë çdo pretendim për financime të huaja.

"Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE." shkruan Basha.

Rusia ka transferuar në mënyrë të fshehtë mbi 300 milionë dollarë për parti politike, drejtues dhe politikanë të huaj në mbi 24 vende të botës, duke nisur nga viti 2014.

Lajmin e bëjnë të ditur burime të administratës amerikane, të cilat i referohen një raporti të shërbimeve të inteligjencës, tashmë i deklasifikuar.

Sipas këtij burimi, Rusia kishte shpenzuar rreth 500,000 dollarë për të mbështetur Partinë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017 dhe gjithashtu financoi partitë ose kandidatët në Bosnjë, Mal të Zi dhe Madagaskar.


Video