“Mesazhet janë të manipuluara”, Bardhi reagon pas njoftimit të SPAK: Të zbulohen autorët e sajesave

9 October 2024, 15:21Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Mesazhet janë të manipuluara”, Bardhi reagon pas
Gazment Bardhi

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se SPAK duhet të zbulojë autorët që kanë manipuluar mesazhet.

Kjo deklaratë e Bardhit erdhi pasi Prokuroria e Posaçme ka njoftuar sot se nga verifikimet e deritanishme, bisedat e kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta.

“E kam thënë që kur kam dalë nga SPAK-u, prokurorët më konfirmuan se bisedat janë të sajuara. Sot, fatmirësisht, Prokuroria e Posaçme e ka konfirmuar këtë përmes një njoftimi zyrtar.

Pa dyshim që ka politikanë të lartë të mazhorancës, të cilët njihen për lidhjet e tyre me krimin dhe janë në dosjet e SPAK-ut. Kishte një tentativë të orkestruar pas seancës ku kryeministri u përball me përgjimet reale të Sky, për të bërë pis cilindo që thotë të vërtetën.

Nuk mund të fshihen lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar duke sajuar mesazhe dhe duke i transmetuar ato në media si mesazhe të vërteta.

Ne si deputetë të opozitës, nëse realisht do të kishim lidhje me krimin, do të ishim duke u përballur me drejtësinë. Dikujt që nuk i djeg e vërteta që thuhet, nuk ka nevojë të sajojë mesazhe. Kam besim se është në interes të SPAK-ut për të zbuluar autorët e këtyre sajesave”, shtoi Bardhi. 


Video