Lidhja e kryeministrit Edi Rama me ish-shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, e trumpetuar nga opozita si një prej aferave më të mëdha korruptive të kësaj qeverie, ka përfunduar në akuza për shpenzimin e rreth 6 mijë dollarëve nga kreu i qeverisë shqiptare në një prej hoteleve të presidentit Donald Trump.
Një grup senatorësh amerikanë kanë mundur të sigurojnë, pas një beteje ligjore, të dhëna për shpenzimet që qeveritë apo entitete të lidhura me qeveri të vendeve të ndryshme kanë shpenzuar në dreka, darka, apo fjetje në hotelet e Donald Trump.
Në një përpjekje për të goditur Donald Trump, duke e akuzuar se ka përfituar në bizneset e tij nga aktorë të qeverive të huaja të cilët kanë shpenzuar shuma të ndryshme parash, ata kanë bërë publike listën e klientëve të hoteleve të Trump, ku figuron edhe kryeministri Edi Rama, ish-ministri Damian Gjiknuri dhe dy këshilltarë të Ramës, Dorian Duçka dhe Endri Fuga.
Ndërkohë që opozita në Shqipëri e akuzonte kryeministrin Edi Rama se kishte arritur të korruptonte zyrtarin e lartë të FBI-së, McGonigal duke e "porositur" të shpallte "non-grata" armiqtë e tij politikë në Tiranë, madje edhe duke i dhënë McGonigalit "thasë me para" për të hequr nga lista e "non-gratave" politikanë e biznesmenë, ajo që në fakt ka rezultuar nga raporti është një faturë prej gati 6 mijë dollarësh që zyrtarët e lartë shqiptarë kanë paguar për të fjetur në "Trump Hotel" në Uashington, gjatë vizitës së tyre në SHBA.
Sipas këtyre akuzave, Rama pasi kishte "futur në xhep" McGonigal, kishte tentuar të influenconte edhe vetë presidentin Donald Trump, dhe këtë gjë ka tentuar ta bëjë duke....fjetur dy netë te hoteli i tij në 3 dhe 4 mars të 2018-ës, me një faturë që i ka kushtuar 1158 dollarë.
Po sipas këtyre akuzave, Rama ka qëndruar në hotelin e Trump gjatë kohës që është takuar në SHBA me McGonigal, çka në fakt Rama e ka deklaruar publikisht, duke thënë në një konferencë për media se është takuar me McGonigal si në SHBA dhe në Tiranë.
Fatura e qëndrimit të Ramës, Gjiknurit, Dorian Duçkës, Endri Fugës dhe Keisi Seferit, në data dhe orë të ndryshme në hotelin e Trump, shkon në total 6 mijë e 2 dollarë.