“Ligjet i kaluat me shpejtësi, pa konsensus”, Felaj “përplaset” me moderatoren: Opozita të reflektojë për 'zgjedhoren', i janë futur një rruge pa krye

30 January 2024, 19:25Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Ligjet i kaluat me shpejtësi, pa konsensus”, Felaj
Moderatorja Dafina Hysa / Zv.kryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Felaj është përballur në një debat “hard –talk” me moderatoren e emisionit “Breaking” Dafina Hysa, në ekranin e Top News, ku u fol për disa nga zhvillimet politike më të rëndësishme në vend.

Felaj ka mbrojtur qëndrimin e maxhorancës, duke ia lënë fajin opozitës që sipas tyre nuk pranon të bashkëpunojë në Parlament, ndonëse edhe Parlamenti Europian përmes një rezolute theksoi rëndësinë e dialogut mes palëve.

“Nuk mendoj se rezoluta e Parlametit Europian ka thënë diçka të re për ne, për frymën e dialogut që duhet të mbizotërojë në parlament. Por dialogu kërkon dy palë. Çështja e komisioneve hetimore janë përdorur si justifikim në fakt nga opozita, me atë lloj sjellje të denjë për rrugë por jo për parlamentin. Kjo sjellje daton me procedimin penal të zotit Berisha. Ne kemi zgjedhur të tjera mënyra alternative për të vijuar. Seanca plenare është ajo që shihni çdo të enjte, ndërsa komisionet vijojnë punën online. Më shumë humbje ka opozita pasi parlamenti është e vetmja foltore e saj që të dëgjohet”, tha Felaj.

E pyetur për kalimin pa diskutime dhe në mënyrë të shpejtë të disa prej ligjeve të rëndësishme, përfshirë edhe buxhetin, Felaj tha se koha prej 78 orësh ishte e mjaftueshme, ndërsa nuk u përgjigj për ankesat e biznesit se ishte lënë jashtë diskutimeve.

Lidhur me reformën zgjedhore, Felaj kërkoi të ketë një reflektim nga opozita, pasi sipas saj komisioni vijon të jetë bipartizan dhe bashkëkryetari është propozuar nga 47 deputetë, të cilët rezoltojnë të jenë pjesë e grupit të Lulzim Bashës.

Pjesë nga intervista:

Felaj: Nuk më duket që ka qenë një kohë e pakët, pasi vetëm për ligjin e buxhetit u diskutua për 78 orë, është diskutuar me grupet e interesit.

Hysa: Nuk rezulton kështu pasi biznesi është ankuar se nuk është marrë në konsideratë.

Felaj: Çdo ligj i është nënshtruar diskutimit korrekt. Nuk ka qenë kështu, pasi 78 orë kanë qenë diskutim me grupet e interesit. Këtë herë është ofruar një shifër më e lartë në rajon, 1/3 e buxhetit të shtetit shkon si mbështetje për kategorinë më vulnerabël, si dhe reforma e pagave.

Hysa: Qytetarët me çmime të larta po blejnë gjithnjë e më pak

Felaj: Ashtu mund të thoni ju, por nuk më rezulton ky perceptim. Rritja e çmimeve ka arsye të ndryshme, lufta në Ukrainë...Ju mund të sillni çdo lloj argumenti, por druaj që nuk po kuptohemi drejt.

Hysa: Ligji për komisionet hetimore, një ligj i miratuar në mënyrë të njëanshme. Çfarë nevoje e ngutshme ishte për ta kaluar ndërsa dhe Parlamenti Europian e evidentoi?

Felaj: Nuk ka kaluar me mënyrë të përshpejtuar. Propozimi ka qenë i imi. Jemi përpjekur që të bëjmë pjesë edhe opozitën, por opozita nuk ka pranuar që të vijë. Kishte nevojë të rishikohej. Ne kemi bërë atë që Gjykata Kushtetuese thotë në disa vendimmarrje, që t’i japim mundësi komisioneve hetimore të jenë të efektshme.

Hysa: Nuk do të duhej që këto ndryshime të vinin me konsensus? Ka patur dy amendamente

Felaj: Propozimet e dy kolegëve, nuk u prezantuan nga ana e tyre. Flas për zonjën Tabaku, se nisma e zotit Spaho nuk ka lidhje. Ne në propozimet e reja nuk kemi bërë asnjë shpikje, ka një referencë të saktë. Ligji për komisionet hetimore disiplinon punën, nuk ka asnjë rregull të ri.


Video