Kreu i PD, Sali Berisha u pyet mbi pjesëmarrjen e Bujar Leskajt në protestën për UÇK-në që u mbajt në Tiranë, duke thyer kështu vendimin politik të partisë. Pjesëmarrja e Leskajt mori vëmendje edhe për shkak të përgjigjes së tij kundrejt gazetarëve, kur u pyet pse e theu urdhrin dhe tha ‘Kush po e r*uan për urdhra’.
Berisha nuk dha një përgjigje të drejtëpërdrejtë mbi pjesëmarrjen e Leskajt në protestë, duke thënë se nuk kishte urdhër që ndalonte pjesëmarrjen, ndonëse vetë Berisha kishte deklaruar më herët se bojkoti i protestës ishte një vendim politik i PD, pasi nuk donin të shfaqeshin krah Ramës.
“Është trillim dhe shpifje ajo që thonë se ka pasur urdhër. Nuk ka pasur asnjë urdhër për të marrë apo për të mos marrë pjesë në protestën e UÇK-së. Duke mbështetur plotësisht kauzën e drejtë, luftën e drejtë të luftëtarëve dhe udhëheqësve të UCK, unë kam shprehur të gjitha konsideratat. Dënoj manipulimin e tmerrshëm me këtë kauzë të Ramës dhe kujtdo tjetër. të hedhësh poshtë rezolutën për gjenocidin serb”, tha Berisha.