Ish-kryeministri Sali Berisha ka drejtuar kritika drejt demokratëve në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar, duke iu thënë se situata duhet të ndryshojë urgjentisht.
Sipas tij, PD është larg në aktivitetet e saj, larg asaj që duhet të jetë. Berisha iu tha demokratëve se nuk mund të fitohet vetëm me makro-aktivitete dhe iu kërkoi që të zhvillojnë takime në bazë.
Ndër të tjera, Berisha tha se është e turpshme që në 2-3 zgjedhjet e fundit kjo parti ka pasur me dhjetëra e dhjetëra qendra votimi pa komisionerë.
"Nëse ka njeri që po tallet me këtë popull që po shpërbëhet me qënien e tij, është Edi Rama. Problemi është ku jemi ne? Nuk ka nevojë Edi Rama të na dhurojë asgjë tjetër më shumë për fitoren tonë se të këqijat që i ka bërë këtij populli dhe kësaj shoqërie.
Ku është Partia Demokratike sot? Është larg në aktivitetet e saj, larg asaj që duhet të jetë. Kur them Partia Demokratike, kam parasysh seksionet dhe grup-seksionet e Partisë Demokratike. Si të jenë ata, do jemi ne.
E vërteta, thelbi i Partisë Demokratike para të gjithash është si të funksionojnë qelizat tona, njësitë tona, ashtu do funksionojë në thelb partia. Sepse vjen një moment që nuk ka më konferenca shtypi, nuk ka takime me duartrokitje, ai moment është më vendimtari, ai moment është votimi, ai moment është mobilizimi, ai moment është prova e përgjithshme. Ajo betejë zhvillohet nivel seksioni.
Ku jemi ne në raport me këtë? Larg jemi. Unë duhet të jemi realist me ju. Unë kam marrë gjithë kohës informacione dhe ju garantoj se është urgjente ndryshimi i situatës. Askush të mos mendojë se mund të fitohet vetëm me makro-aktivitete. Nuk fitohet. Ato janë të domosdoshme.Por pa kombinimin e aktiviteteve të tjera në nivel seksioni, në nivel hyrje,blloku, në çdo skaj, ne në këto kushte fitore nuk shohim.
Ne vetëm rrimë duke shprehur habi për veprimet e një njeriu që vjedh përditë qytetarët dhe tallet me ta. Tani ka kaluar në fazën e talljes. Në mëngjes ju thotë e hoqa fashon, në darkë thotë fasho nuk është hequr. Ne çdo ditë që kalon jemi të vonuar në përballjen me të. Ju, jam i sigurtë qëmerrni pyetje të ndryshme, edhe unë marr, “çfarë po bëni?” “A thatë shtator?”, “Ku jeni, ne po presim.”
Çfarë janë këto? Këto janë dëshmi se revolta, urrejtja për këtë qeveri tek qytetarët po vlon, po zjen. Por ne do shtrojmë pyetjen ku jemi ne? Çfarë bëjmë ne? Çfarë aktivitetesh kemi bërë ne gjatë kësaj periudhe? Askush të mos mendojë se nuk dëmtohemi kur mediat thonë se Berisha po bën takime dhe nuk po ndihet.
Bashkëpunëtorët e mi të afërt po bëjnë takime, por këto takime nuk janë përcjellë në nivele siç duhet. Këto takime nuk po zhvillohen në nivel seksioni dhe grupseksioni, sipas një plani. Ne kemi nevojë emergjente.
Po t’u bëj një pyetje, ju i keni ndjekur foltoret dhe takimet. Ju them unë ju, që elementi më spikatës, më i rëndësishëm i tyre janë fjalët e atyre qytetarëve dhe atyre demokratëve. Nuk janë fjalët e mia. Sepse fjalët e mia janë një steam speech, janë një mori çështjesh që unë i kaloj nga audienca në audiencë.
A e shihni sa bukur flasin ata? Çfarë dua të them me këtë? Potencialet i kemi të jashtëzakonshme, shumë të mëdha, por duhet t’i shfrytëzoni. Po çfarë të deleguari doni ju më shumë se atë mjeken, e cila në tre minuta, me guxim i bëri radiografinë sistemit të shëndetësisënë mënyrën më të shkëlqyer. E dëgjuat çfarë oratoreje. Çfarë misionareje doni më shumë se atë mësuesen e cila ngrihet me guxim dhe që denoncoi atë që po bëhet në arsim.
Ne kemi me qindra e mijëra oratorë, që duhet t’i mobilizojmë si misionarë. Kemi thënë, ne duhet të jemi misionarë. Dhe misionarët kanë forcën e fjalës. Bindin me fjalë.Unë personalisht e kam vlerësuar jashtë mase fjalën e demokratëve në këtëtakime. E dëgjoj me interes shumë të madh. Shoh një nivel politik të shkëlqyer. Ata flasin sikur të jenë analistë, sikur të jenë politologë. Të gjithë këtë e thashë se kemi potenciale të mëdha, por urdhëroni t’i shpalosim.
Duhet të jemi realist. Për të qenë realist, duhet të njohim realitetit. Është e domosdoshme që pas kësaj mbledhje, kryetarët e degëve të bëjnë mbledhjet e kryesisë, të miratojnënjë plan pune të detajuar për të gjithë aktivitetin dhe takimet në nivel seksioni dhe grup-seksioni. Të deleguarit i keni ju, do vijnë padiskutim. Po çfarë doni më shumë se fjalën e një mësuesi, mjeku, një inxhinieri, punëtari, një pensionisti.
Bashkë me ta të shkojnë, të takojnë, të trokasin, të verifikojnë dhe identifikojnë. Mos të harrojmë se në 2-3 zgjedhjet e fundit kjo parti ka pasur me dhjetëra e dhjetëra qendra votimi pa komisionerë. E turpshme, një parti kombëtare shkon dhe përfundon aty nuk është e zonja të nxjerr komisionerë.
Genc Deromemaj njëherë do më propozonte dhe më thoshte: “Doktor, gjëja më e rëndësishme është të përqëndrohemi në 2-3 persona që të kemi të garantuar qendrën.” Kishte shumë të drejtë, sepse na kanë ngelur me dhjetra qendra pa njerëz fare." deklaroi Berisha.