Siç e raportoi Voxnews.al dy ditë më parë, Erion Braçe nuk do të jetë më deputet i qarkut të Fierit dhe as pjesë e ekipit elektoral të PS-së në Divjakë.
I identifikuar gjithmonë me zonën e Divjakës, Braçe është larguar për t’u angazhuar në fushatën zgjedhore të PS-së në Tiranë, më konkretisht në Njësinë 5.
Ky vendim vjen pas një takimi që kryesocialisti Edi Rama pati me organizatat socialiste paradite në Divjakë.
Burime për Voxnews.al bënë me dije se pak ditë më parë Braçe ishte shprehur i habitur me lajmin për largimin e tij nga Divjaka dhe kishte siguruar se do të vijonte të qëndronte aty, çka tregon se vetë deputeti nuk ishte pajtuar me këtë vendim.
Ky zhvillim vjen pasi siç mëson Voxnews.al, Braçe pati një debat të fortë dhe me tension gjatë një bisede telefonike me drejtues të tjerë të Partisë Socialiste në Qarkun e Fierit. Burimet shtojnë se konflikti ka qënë i hapur dhe drejtëpërdrejtë me drejtuesen e Qarkut Fier, Belinda Ballukun.
Braçe ka qenë deputeti më i votuar i qarkut të Fierit në zgjedhjet e fundit parlamentare, me plot 15 mijë vota e duke lënë pas emra të njohur socialistë e demokratë. /VoxNews