Komisioni i Reformës Zgjedhore/ PD s’pranon dëgjesë me Sokol Bizhgën, kërkojnë Skënder Hitën: E papranueshme!

22 July 2026, 11:46Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Komisioni i Reformës Zgjedhore/ PD s’pranon dëgjesë me
Komisioni i Reformës Zgjedhore

Mbledhja e Komisionit për Reformën Zgjedhore është shoqëruar me debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe maxhorancës, për shkak të mungesës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në seancën dëgjimore, ku në vend të tij ishte i pranishëm zëvendësdrejtori Sokol Bizhga.

Bashkëkryetari i komisionit nga radhët e opozitës, Oerd Bylykbashi, e cilësoi të papranueshme mospjesëmarrjen e drejtuesit kryesor të policisë, duke theksuar rolin e këtij institucioni në proceset zgjedhore.

"Është e papranueshme që drejtori i Policisë së Shtetit nuk vjen në një seancë dëgjimore të Parlamentit. Është dokumentuar edhe nga ndërkombëtarët që Policia e Shtetit ka ndërhyrë në mënyrë të dhunshme në procesin e zgjedhjeve. Policia është rikthyer problem për dy arsye: për atë që duhet të bëjë dhe nuk e bën," u shpreh Bylykbashi.

I të njëjtit qëndrim ishte edhe anëtari demokrat Gent Strazimiri, i cili kërkoi shtyrjen e mbledhjes me arsyetimin se përfaqësimi i policisë nuk ishte në nivelin e duhur.

"Nuk duhet të jetë këtu zv/drejtori. Komisioni nuk është seminar. Si mund të vijë një zv/drejtor, madje edhe pa staf? Mbledhja duhet shtyrë," deklaroi Strazimiri.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i maxhorancës, Damian Gjiknuri, hodhi poshtë kërkesat e opozitës, duke sqaruar se drejtuesit e policisë nuk kanë detyrim ligjor të raportojnë për punën e tyre përpara këtij komisioni.

"Ai nuk ka detyrim për të raportuar këtu, është Komisioni i Sigurisë apo komisione të tjera. Ata raportojnë për punën e tyre në komisione të posaçme, ne s’jemi komision hetimor," tha Gjiknuri.

Vokshi: Unë propozoj që kjo mbledhje të mos zhvillohet me zëvëndësdrejtuesit. Mund ta dinim më përpara, sepse ka një komunikim më përpara. Nuk ka më të rëndësishme se Komisioni i Reformës Zgjedhore.

Gjiknuri: E mira do të ishte të ishte prezent drejtuesi i policisë. Mos t’i ngatërrojmë rolet Nuk kemi rol të bëjmë Komision Hetimor ne, nuk po verifikon ngjarje unë këtu. Patjetër që për të gjitha eksperiencat tuaja negative ne do të flasim këtu, por këtu jemi të marrim një mendim çfarë nuk ka shkuar mirë. Këtë gjë mund ta bëjë edhe nëndrejtori. Duro, se unë po të jap një diapazon më të gjerë, nuk është jeta bardh e zi e dashur.

Debate pati edhe mes demokrates Albana Vokshi dhe socialistit Damian Gjiknuri.

Vokshi: Mua e dashur mos më thuaj.

Gjiknuri: Mirë zonjë. Si të të them, e dashur armik.

Vokshi: Jam këtu anëtare e komisionit.

Gjiknuri: O Albanë të lutem, ti je bardh e zi në mendjen tënde, s’ta ndërtoj jetën, s’ta bëj dot me ngjyra.

Vokshi: Mos u merr me jetën time personale private. Je mësuar ta sfumosh rëndësinë e çështjes. Me mua herë tjetër mos e bëj

Gjiknuri: Me batuta që të të shtensionoj.

Sakaq, në fjalën e mbajtur Sokol Bizhga argumentoi se ka qenë ai përgjegjës për aktivitetet zgjedhore në vitin 2025.

"Në të dyja rastet kam qenë unë protagonisti që i kam propozuar ndryshimet për Policinë e Shtetit dhe unë kam qenë i autorizuar, kam ndjekur gjithmonë aktivitetet zgjedhore. Drejtori i përgjithshëm ishte drejtues në një qark, kurse unë kam qenë përgjegjësi për procesin zgjedhor të vitit 2025", u shpreh Bizhga. 

Në përfundim me propozimin e demokratëve, komisioni për Reformën Zgjedhore vendosi të shtyejë mbledhjen që në seancën tjetër të jetë drejtori i Policisë së Shtetit.


Video