
Avokati i Sali Berishës, Genci Gjokutaj foli për mediat pas përfundimit të seancës së sotme për dosjen Partizani, ku kryetari i PD-së po gjykohet me akuzën e korrupsionit.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 26 janar në orën 10:00.
Avokati Gjokutaj theksoi sërish se kanë kërkuar thirrjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar, pasi sipas tij, ai ka bërë thirrje që Berisha të procedohej urgjentisht.
Më herët, Gjokutaj theksoi se “kryeministri Rama është dëshmitar kyç sepse ndryshoi destinacionin e pronës”.
“GJKKO nëse do të japë një vendi të bazuar në ligj, përveç Ramës duhet të thirrë edhe oficerë të policisë gjyqësore, zotin Karanxha, që ka qenë aktivist i PS dhe sot është në BKH. Çështja ka profil politik. Kemi kërkuar administrimin e akteve, videove përkatëse ku zoti Rama jo vetë si kryetar bashkie por edhe si lider i partisë ka bërë thirrje që zoti Berisha të procedohet urgjentisht.”, theksoi ai.
Po ashtu avokatët kërkuan që të merret si provë edhe DVD me fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS në prill 2022.
Çfare deklaroi Rama në Asamblenë e PS
“Të kërkosh më shumë nga drejtësia kur vettingu po bën 5 vjet dhe SPAK po mbush 3 vjet, nuk do të thotë të bësh presion, se përndryshe çfarë do të duhet të thoshim pastaj për deklaratat e BE e SHBA, ku është kërkuar dhe hapur nominalisht ndëshkimi i politikanëve apo gjykatëse të korruptuar, presion mbi drejtësinë? Sipas meje jo. Çfarë presioni është të kërkosh hetimin e një ish-presidenti, e një ish-kryeministri, të shpallur non grata nga SHBA më akuzat më të rënda të mundshme që lidhen drejtpërdrejtë me veprimtarinë e institucioneve të këtij vendi. Dhe ta bësh këtë thuajse një vit pasi shpallja non grata është bërë, dhe pasi Sekretari amerikan i Shtetit ka kërkuar publikisht një deklaratë se institucionet e një vendi, pra të këtij vendi duhet të bëjnë punën e tyre” – tha Rama në atë kohë.