“Jetojmë nën një regjim autoritar”, Berisha: OKB i shikon shqiptarët si një komb në zhdukje

20 January 2026, 19:57Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Jetojmë nën një regjim autoritar”, Berisha: OKB i
Sali Berisha

Foltorja opozitare e demokratëve është ndalur këtë të martë te Njësia 4, Tiranë, ku kreu i PD-së, Sali Berisha, ka mbajtur një bashkëbisedim me simpatizantët e pranishëm.

Berisha u ndal fillimisht te emigrimi i të rinjve në vend, duke u shprehur se “OKB i shikon shqiptarët si një komb në zhdukje”.

“Miq, nga viti 2014 gjer në vitin 2023, vetëm në hapësirën europiane, në Schengen, kanë emigruar 1 milion e 100 mijë shqiptarë. Nga të cilët rreth 700 mijë të rinj. Pra, rriten në Shqipëri, por ëndrrën shqiptare nuk e ndërtojnë dot në Shqipëri. Marrin rrugët e Europës, rrugët e botës për të ndërtuar ëndrrën e tyre. Dhe ne pakësohemi, pakësohemi, pakësohemi. Në çfarë shkalle? Pakësohemi në atë shkallë, saqë të gjithë, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe çdo institut tjetër që merret me demografinë, shqiptarët i shikon si një komb në zhdukje. Si një komb që sot kanë lindur atë numër fëmijësh që lindnin 100 vite më parë. Kur ata ishin në regjistra 700 mijë. Shqiptarët nga viti 2018 gjer sot, humbasin, mijëra e mijëra qytetarë ndahen nga jeta më shumë sesa lindin“, tha ai.

Po kështu, kryedemokrati u shpreh se vendi është boshatisur këtë 10-vjeçar të fundit si pasojë e humbjes së shpresës. Siç thotë Berisha, të paktën 49% e Shqipërisë, është “buzë varfërisë”.

“Në 10 vite, si kurrë dhe si asnjë vend tjetër, jemi plakur 10 vjet. Mosha mesatare jonë është rritur 10 vjet. Në 10 vite, vendi pra u boshatis nga shpresa. Por në qoftë se në 2013-ën ne ishim njerëzit më të paguar, pak merrnim, nuk merrnim shumë, po më të paguar ishim se të gjithë këta që janë përreth nesh, përveç grekëve. Më të paguar se dhe bullgarët dhe rumunët. Sot jemi më të keqpaguarit. Sot 49% e jona është buzë varfërie ose në varfëri“, tha ai.

Nuk munguan as akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me qeverisjen e vendit, duke cilësuar se Shqipëria ndodhet në një “regjim autoritar”.

“Tani ne jemi në një moment kritik. Në një moment kritik të ekzistencës sonë. Të përmbushjes së misionit tonë. Asgjë s’do përcaktojë më shumë fatin e Partisë Demokratike, fatin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar sesa përmbushja e misionit tonë. Përmbysja e këtij regjimi. Diktaturat nuk janë të lehta për t’u përmbysur. Janë shumë të vështira. Por diktaturat autoritare, edhe totalitaret, përmbysen vetëm në një rrugë: me revoltë popullore. Ata të cilët besojnë se mund ta përmbysin diktaturën me votë, mashtrojnë veten e tyre“, u shpreh kryedemokrati.

Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve për bashkimin në protestën kombëtare të organizuar nga Partia Demokratike më 24 janar 2026.


Video