Iu komunikua akuza, Beqaj: Nëse SPAK do hetonte, do nxirrte koncesionin e sterilizimit me përfitim për shtetin

18 March 2024, 08:51Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Iu komunikua akuza, Beqaj: Nëse SPAK do hetonte, do nxirrte koncesionin e
Ilir Beqaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është paraqitur në SPAK mëngjesin e kësaj të hëne.

Atij i është komunikuar akuza për “shpërdorim detyre” për çështjen e sterilizimit duke e marrë kështu të pandehur.

“Përfundoi hetimi dhe u mora si i pandehur për shpërdorim detyre, në bashkëpunim. SPAK duhet ta kishte nisur vlerësimin e punës time me përmbushjen e ligjit dhe kushtetues, pasi garantimin e kujdesit shëndetësor nga veriu në jug për qytetarët, e kam pasur detyrim dhe mision. Të përdorësh me eficensë fondet e shtetit, është detyrë. Por për një ministër Shëndetësie, është detyrë kryesore të shkurtosh harxhimet. SPAK në 50 muaj nuk ia doli që të hetojë dy çështje që ka Sterilizimi: uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital, dhe uljen e ditëve të marrjes së antibiotikut në spital. Nëse do të kishin bërë këtë vlerësim, konvertimi i këtyre kursimeve në para, do ta nxjerrë një proces me përfitim për financat publike dhe për xhepat e qytetarëve. Kjo do të thotë që mos ta kesh kuptuar se çfarë ke hetuar.

SPAK nuk e mori fare mundimin që të hetonte këtë gjë. Kisha detyrim që ta vë në punë sterilizimin. Shqiptarët janë operuar në kushte të sigurta. Prokurorët nuk ishin në gjendje që të bënin dy vlerësime, vlera e parasë dhe si është materializuar ndarja publik-shqiptar. Ua dhamë me koncesion Sterilizimin që t’u shërbenim më mirë shqiptarëve. Të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë ku do dalë e vërteta e përfitimit që ka përfituar çdo shqiptar”, tha ai për gazetarët pasi doli nga SPAK.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të sterilizimit dhe ka vënë nën akuzë 9 persona. Mes tyre është edhe Beqaj ndaj të cilit është caktuar më herët masa e detyrimit për t’u paraqitur.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Në këto kushte SPAK ka vënë në akuzë dhe Ilir Rrapajn në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministrin Klodian Rrjepaj, të cilët aktualisht ndodhen në burg.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ata kanë konsumuar veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë sa i takon 6 ish-zyrtarëve dhe anëtarëve të Komisionit të Ofertave, SPAK ia ka komunikuar akuzat të enjten e kaluar.

2 prej tyre janë në masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa 4 të tjerë atë të “detyrimit për t’u paraqitur”.

 


Video