Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, thotë se PS dhe PD kanë rënë dakord që të dalin me një rezolutë të përbashkët përsa i përket sulmit të ndodhur në Banjskë të Kosovës.
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Çuçi shprehet se konsensusi mes palëve është arritur pasi bëhet fjalë për Kosovën.
"Vendosëm të lëmë një seancë të posaçme për të enjten. Nuk duhet të ndodhte ndryshe përveçse një konsensus kur bëhet fjalë për Kosovën.
Besoj se është një lajm i mirë për të gjithë ne, faktori ndërkombëtar duhet të rrisë influencën e vet që të nxjerrë përgjegjësinë e Serbisë në këtë histori. Nuk ka vetëm një hetim. Ndërkombëtarët duhet të rrisin influencën për të nxjerrë përgjegjësitë.
Nuk ka pika që mund të na ndajnë në këtë çështje. Besoj që ashtu, siç ramë dakord që kryetarja dhe nënkryetari i komisionit për Politikën e Jashtme të ulen së bashku për të unifikuar draftet dhe për të arritur një rezolutë, besoj se as ata nuk do e kenë të vështirë për të dalë me një rezolutë të përbashkët.
Kjo është një çështje protokollare e parlamentit. Kemi bashkuar 2 kërkesat për rezolutë me interpelancën në një seancë të vetme sepse të gjitha kanë të bëjnë me ngjarjet në veri të Kosovës, tha Çuçi.