Hapja e negociatave për Shqipërinë, Biden: Një Ballkan Perëndimor demokratik dhe i sigurt mbetet thelbësor për këtë vizion

19 July 2022, 15:58Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hapja e negociatave për Shqipërinë, Biden: Një Ballkan
Joe Bideni

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka përshëndetur hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Europian.

Në deklaratë theksohet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin hapat e rëndësishëm që Bashkimi Evropian po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik duke hapur bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 

Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Europë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Europë të plotë, të lirë dhe në paqe. 

Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit.

Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon që të rrisin angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga administrata Biden në faqen zyrtare.


Video