Hakerat e grupit “Homeland Justice” që sulmuan para javësh serverat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kanë vijuar të publikojnë në faqen e tyre dokumentet që morën gjatë këtij sulmi.
Hakerat e “Homeland Justice” që besohet të jetë një organizatë e sponsorizuar nga Irani, kanë publikuar së fundmi kutinë postare të e-maileve të dy ministrave, ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe atij të Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Por nga vëzhgimi i e-maileve, pjesa më e madhe tyre janë formale, si ftesa, raportime nga policia, apo njoftime për organizime eventesh të ndryshme.
Më herët, hakerat nxorrën e-maile nga disa ambasada shqiptare në botë, por dhe këto maile ishin formale, njoftime, etj.
Para një jave, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi se 1224 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset si më parë.
Pas sulmit kibernetik, njofton AKSH, është bërë i mundur rikuperimi i të gjitha shërbimeve online që mundëson kjo platformë përveç shërbimit të njehsimit të diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja për të cilin ende po punohet për ta rikthyer.