Në replikën e tij për akuzat që hodhi demokrati Flamur Noka në Kuvend, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i kërkoi që nëse ka prova për ato që thotë, të bëjë kallëzim penal.
Theksoi se opozita po turpërohet vazhdimisht me ankimimet e pabaza në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“E kuptoj edhe përpjekjen tuaj në KQZ ku çdo ditë po turpëroheni para publikut se si po bien në nga një të gjitha pretendimet tuaja. Bëtë gjithë atë zhurmë për kryeplakun, pastaj u turrët pas 130 mijë të ashtuquajtura vota. Më kishin thënë se Flamuri paska futur 500 GPS nëpër zarfa dhe këto na paskan ngelur në Londër. Kjo që bën ti është e dënueshme, përbën vepër penale! Pse nuk shkon ta denoncosh ti gjurmimin e votës?! Na paskan ngelur GPS në Londër e votat këtu… Zgjedhjet kanë përfunduar! Ju keni marrë diku te 300 mijë e kusur më pak vota se ne, gjejini ku i keni votat”, tha Balla.
Ndërkohë sipas Nokës, 28 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, janë zgjedhur përmes karteleve dhe krimit të organizuar. Po ashtu pretendon ai, janë vjedhur 130 mijë vota të PD-së.