Gazment Bardhi kërkon hetim parlamentar për “aferën” e Portit të Durrësit

4 December 2024, 16:04Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gazment Bardhi kërkon hetim parlamentar për “aferën”
Gazment Bardhi / Belinda Balluku

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar një hetim parlamentar për atë që e quan si afera e Portit të Durrësit.

Në një reagim për mediat, Bardhi thotë se SPAK duhet ta hetojë gjithashtu këtë “aferë skandaloze korruptive”.

Opozita akuzon qeverinë dhe ministren Belinda Balluku se po tenton t’i japë menaxhimin e portit të ri të Durrësit një oligarku shqiptar, duke kryer lëizje të dyshimta me kontratën koncesionare të “EMS”, që pas Arbitrazhit ia shiti aksionet një kompanie “të dyshimtë kroate”.

Reagimi i Bardhit:

Afera e Portit të Durrësit që sipas investigimeve serioze të mediave gjermane ka gjurmë që shkojnë deri në Ekuador dhe Kolumbi, është një nga aferat më të mëdha të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, që duhet të hetohet me seriozitet dhe pa asnjë vonesë. Për këtë qëllim, në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike u vendos që mbi këtë aferë të kërkohet një hetim i plotë parlamentar.

Transparenca mbi pasuritë publike dhe veçanërisht verifikimi dhe prerja e lidhjeve të krimit të organizuar me projekte madhore strategjike të vendit, duhet të jetë misioni i Kuvendit në periudhën e mbetur të kësaj Legjislature.

Grupi Parlamentar i PD nxit Prokurorinë e Posaçme që sa më parë dhe pa asnjë hezitim të hetojë dhe verifikojë të gjitha investigimet e kryera mbi këtë aferë skandaloze korruptive dhe që dyshohet se ka fije të lidhura me krimin e organizuar ndërshtetëror.


Video