Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar shtetasit e saj në vendin tonë që të bëjnë kujdes gjatë protestës që do të zhvillojnë të shtunën e 12 Nëntorit nga opozita.
NW reagim thuhet se pavarësisht se shumica e protestave kanë qenë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme, teksa iu kërkon shtetasve amerikanë që ta shmangin gjatë kohës së protestës bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
"Në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë Kryeministrisë është planifikuar të zhvillohet një protestë. Kjo protestë ka potencialin të përhapet në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve.
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit." thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Protesta është paralajmëruar se do të nisë në orën 16:00, por ende nuk dihen detajet mbi mënyrën e organizimit të saj.