Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron, që u interpretua si një bllokim i liberalizimit të vizave për Kosovën.
Basha thotë në një reagim në Facebook, se penalizmi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për t’i ulur palët në dialog. Ai gjithashtu kërkon që Europa të mos vijojë të veprojë sikur asgjë nuk ndodhi më 24 shtator, kur u zbulua plani i Serbisë për të destabilizuar rajonin duke sulmuar në veri të Kosovës.
Reagimi i plotë i Bashës:
Penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog e as për ti dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë.
Europa nuk mund të vazhdojë të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur me 24 shtator dhe as të mbyllë sytë përballë përgjegjësisë së Serbisë, presidenti i të cilës sfidon hapur, duke refuzuar sanksionet ndaj Rusisë dhe duke u shfaqur në krah të Vladimir Putin.
Skenarët për destabilizimin e gjithë rajonit janë para syve të çdokujt, ndaj është i domosdoshëmi angazhim maksimal Euro-Atlantik në dialogun Kosovë-Serbi, për zbatimin e planit Franko-Gjerman dhe përmbylljen me një marreveshje që ka në qendër njohjen reciproke.
Si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Europë tani është koha që 4 vendet e mbetura të NATO-s ti hapin rrugë anëtarësimit të Kosovës në Aleancë duke nisur me përfshirjen në Partneritetin për Paqe.