Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias tha se procesi i përmbylljes së marrëveshjes se Detit me Shqipërinë është vetëm çështje kohe.
Në takimin me kreun e qeverisë, Edi Rama që ndodhet në Athinë për të marrë pjesë në forumin ekonomik të Delfit, Dendias u shpreh se Shqipëria ka rënë dakord në parim për marrëveshjen. Greqia duket se ka dalë e kënaqur nga kjo marrëveshje sa kohë që Dendias u shpreh me nota euforike.
Sipas tij, draft projekti do të specifikohet ditët në vijim dhe do t’i dorëzohet më pas Shqipërisë.
“Po, do të zhbllokohet. Besoj më herët se sa e mendojmë. Historia e marrëveshjes në parim me Shqipërinë është diçka për të cilën unë jam veçanërisht i lumtur. Do mund të thoja dhe krenar. Shqipëria ka rënë dakord në parim dhe këtu duhet të vendosim emër, Edi Rama u dakortësua në parim. Se si konkretisht do të specifikohet në draft projektin për Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, do duhet ta shohim në kuadrin e autorizimit që do t’i jepet qeverisë Rama nga presidenti shqiptar. Por parimisht, marrëveshja është e shkëlqyer, një marrëveshje shembull për Turqinë”, tha Dendias.
Dendias nuk la pa përmendur edhe miqësinë e Ramës me Erdogan duke thënë se të njëjtën marrëveshje që po bëjnë me Shqipërinë, do ia propozojnë edhe Turqisë. Sipas ministrit grek, Greqia nuk e ka në plan që të acarojë marrëdhëniet me Turqinë duke shpjeguar se çështja do të zhbllokohet.
“Të mos harrojmë se Edi Rama është mik i ngushtë i presidentit Erdogan, Shqipëria është vend mik i Turqisë. Unë besoj se mund të jetë njësoj vend mik edhe i Greqisë. Nuk e konsideroj një lojë të shumëzuar me zero. Por Shqipëria, mikja e Turqisë, ra dakord, bëri marrëveshje pikërisht me të njëjtin propozim që i bëmë dhe Turqisë. Mendoj se ky fakt duhet të jetë qetësues për palën turke, përsa i përket qëllimeve greke”, tha Dendias.