Ministri i Brendshëm Taulant Balla ndodhet në një vizitë zyrtare në Abu Dhabi, ku është pritur nga zëvendës-kryeministri dhe ministri i Brendshëm Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan.
"Gjatë takimit u shqyrtua bashkëpunimi Emiratet e Bashkuara Arabe-Shqipëri dhe mënyrat për ta zgjeruar atë në fushën e policisë dhe punës së sigurisë, nxitjen e koordinimit dhe shkëmbimit të ekspertizës dhe njohurive në fushën e luftës kundër krimit", thuhet në njoftimin zyrtar të autoriteteve arabe.
Kujtojmë se një numër i konsiderueshëm kriminelësh shqiptarë strehohen në Dubai, pasi nuk mund të ekstradohen.
Në takim morën pjesë gjeneralmajor Khalifa Hareb Al Khaili, nënsekretar i MPB-së dhe një numër i zyrtarëve të MPB-së të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në delegacionin e ministrit të Brendshëm Balla ishte i pranishëm edhe Ridi Kurtezi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe një sërë zyrtarësh shqiptarë.