Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer falënderimet e panumërta për presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, gjatë një konference të përbashkët në Ankara.
Rama tha se Erdogan “e fitoi bastin me shqiptarët”, pasi arriti ta ndërtojë spitalin e ri të Fierit në një kohë rekord.
Kreu i qeverisë shqiptare gjithashtu u shpreh se shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës “nuk do i harrojnë tre momente” të ndihmës së Turqisë, njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndihmën për tërmetin dhe pandeminë në Shqipëri.
“Unë nuk mund të mos e bëj një sqarim, që ne nuk kemi vënë bast për spitalin se bastet në Turqi janë të ndaluara me ligj, ndërsa në Shqipëri lejohen vetëm “online”. Ai spital u bë dhe ju e fituat bastin me shqiptarët. E thënë kjo, dua t’ju falënderoj publikisht për mikpritjen. Shqiptarët, Shqipëria, Kosova nuk mund të harrojnë dot tre gjëra, e para falë jush dhe qeverisë tuaj Kosova u njoh si Republikë e Pavarur, pasi parlamenti i saj shpalli pavarësinë.
E dyta, kur Shqipëria u godit nga një tërmet, ju ishit të parët që komunikuat me mua, më thatë që sa të jetë Turqia, Shqipëria nuk do të jetë kurrë vetëm. Fillimi i vaksinimit në Europë, nëse nuk do të ishte Turqia, dhe ju personalisht, kushedi sa njerëz do të kishin humbur jetën. Këto janë tre momente që nuk harrohen dot kurrë”, deklaroi Rama.