Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të shtunë episodin e dytë të podkastit të tij. Ai titullohet “I Love Albania” dhe e ftuar ka qenë Alice Taylor, gazetarja britanike që jeton prej vitesh në Tiranës.
Ajo është një kritike e tij dhe në shumë shkrime ka denoncuar vendimet dhe veprimet e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Kryeministri i ka thënë se duke qenë se pranoi ftesën, rrethi i saj shoqëror edhe mund t’i thotë në vazhdim se ai “e korruptoi”.
“Alice Taylor është banore e Tiranës e dashuruar me Shqipërinë, po shumë e sertë me qeverinë”, thotë Rama, ndërsa vazhdon “Ti e bëre këtë hap, erdhe këtu takove djallin. A e mendon tani edhe më shumë që mund të të thonë të bleu, të korruptoi, të bëri për vete, të bëri magji, nuk je më e jona?”, pyet Rama.
Ndërkohë, gazetarja britanike shprehet se ftesa i ka pëlqyer dhe ka vendosur të shkojë në podkast për t’u përballur me Ramën, për shkrimet kritike. Madje, ajo thotë se do ishte budallallëk të mos pranonte.
“A thashë gjë që jam dakord me gjithçka që ju thatë? Isha kureshtare nga ftesa juaj më pëlqeu fakti që deshët të përballeshit me disa nga gjërat kritike që kisha shkruar. Mendoj se do të ishte budallallëk të thoja jo”, përgjigjet Taylor.
Edi Rama e pyet Taylor edhe për qëndrimin e saj në Shqipëri, pasi fillimisht edhri në vendin tonë të qëndronte për disa ditë, por që nga ajo kohë janë bërë plot pesë vite.
“5 vjet e gjysmë ka pasur jashtë mase ndryshime. Disa prej tyre janë më të mira, disa prej tyre… Shkruaj sepse kam një ndjenjë të fortë të drejtësisë sociale. Në qoftë se shoh diçka që më mërzit, më mërzit thellësisht, sepse dua të rris vajzën time këtu, dua të plakem këtu”, shprehet gazetarja.
Kryeministri “e ngacmon” dhe për Anglinë, kur e pyet nëse e ka dashur ndonjëherë vendin e saj. “Nëse mendoj për Anglinë, mendoj ngjyrën gri. Kur mendoj Shqipërinë mendoj të kuqen, të verdhën, të gjelbrën, blunë. Është një vend krejt ndryshe”, pohoi Alice Taylor.