Forumi Rinor i Partisë Demokratike mbajti një ditë më parë zgjedhje për kreun e ri, post të cilin e fitoi Besart Xhaferri. Por zgjedhja e tij ka sjell kundërshti nga demokratët, ku një prej demokrateve, Fatmira Neziri ka denoncuar votimet në FRPD duke thënë se janë manipuluar.
Ajo ka publikuar dy foto nga lista e votuesve, në të cilat vihet re se kanë votuar persona të moshës 38 dhe 39 vjeç, gjë e cila shkel statutin e FRPD-së. Sipas statutit të forumit, konkretisht në nenin 6 thuhet se lejohet anëtarësimi deri në moshën 35-vjeçare.
“Në FRPD hyjnë shtetasit shqiptarë të moshës 15-35 vjeç, që pranojnë statutin dhe programin e tij, që përmbushin detyrimet e Forumit dhe që nuk janë anëtarë të forumeve dhe partive të tjera politike.”, thuhet në statut.
Demokratja Fatmira Neziri shkruan se ka nxjerrë vetëm këtë pjesë të listës, por sipas saj në listën e votuesve ka pasur edhe persona të që jetojnë jashtë shtetit.
“2022-1983= 39 vjeç! Si Luli mbushim kutitë, ama me llogaritë jemi më mirë! E turpshme! Nuk po nxjerr ata që jetonin jashtë shtetit, por emrin e kishin në lista. Kaq korrektë ishit me procesin e riantarësimit?! Vërtet besoni se mund të bëni popullin për vete në këtë mënyrë?! Vërtetë besoni se mund të merrni të rinjtë pas vetes në këtë mënyrë?! Vërtetë besoni se njerëzit ‘hanë bar’ dhe nuk kuptojnë klanet e planet e juaja?! E turpshme!”, shkruan aktivistja e PD, Fatmira Neziri.

Denoncimin për manipulimin e zgjedhjeve e ka bërë edhe shqiptaro-amerikania Evi Kokalari, që u zgjodh në strukturat drejtuese të Komisionit të Rithemelimit të Sali Berishës. Kokalari shkruan se do të largohet nga partia dhe se nuk merret me këtë lloj njerëzish që lejojnë masakrën zgjedhore.

Besart Xhaferi u rendit i pari në zgjedhjet që u mbajtën një ditë më parë në FRPD, duke u shpallur kështu fitues. Ai mori 5256 vota, duke lënë pas 5 kandidatët e tjerë. Atij i është besuar drejtimi i forumit rinor, në zgjedhjet e mbajtura nga PD-ja e Berishës. Pas Xhaferit, më i votuari është Arnold Kariqi me 1683 vota.