Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur gazetarit Mero Baze, lidhur me deklaratën e këtij të fundit se biznesmeni Agim Zeqo i ka paguar shpenzimet e kurimit në Vjenë.
Berisha tha sot gjatë një konference për shtyp se nuk ka asnjë lidhje me Agim Zeqon, i cili është një prej dy biznesmenëve që do të ngrenë “Kullën Mali i Tiranës”, dhe as nuk ka pasur kur ka qenë në qeverisje.
Pas kësaj deklarate, reagoi gazetari Mero Baze, duke thënë se Agim Zeqo është mburrur për nderin që i ka bërë Bershës, duke treguar Zeqo vetë se i ka paguar shpenzimet e kurimit në Vjenë.
Por në një reagim të fundit, Berisha sulmon gazetarin dhe thotë se s’ka asnjë lidhje me Zeqon.
Reagimi i plotë i Berishës:
Zëdhënësja e Partisë Demokratike sjell komentin që vijon të zotit Berisha:
“Sot, shpifësi i paguar Ymer Çorapja, të cilin e kam larguar se më ngjitej si baltë në këpucë për të kaluar mallra pa doganë etj., lëshoi shpifjen e ulët të rradhës. Sipas tij, biznesmeni Agim Zeqo më paska paguar shpenzime mjekimi në Vjenë.
Lidhur me këtë shpifje të tij amorale, sqaroj se kurrë Agim Zeqo dhe asnjë biznesmen tjetër, shqiptar apo i huaj, nuk ka paguar ndonjëherë një qindarkë të vetme për kujdesin tim shëndetësor në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër në botë.”