Sali Berisha deklaroi për herë të parë se gjatë kohës që ka drejtuar vendin, Shqipëria është ofruar për të financuar e investuar në zonat e minoriteti serb në Kosovë.
“Si kryeministër jam marrë me përkushtimin më të madh me liritë dhe të drejtat e tyre. Me fondet e qeverisë shqiptare kemi investuar në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Kemi ofruar një meremetim kishash”, tha Berisha.
Por, sipas Berishës, Aleksandër Vuçiç urdhëroi serbët e Kosovës që ta refuzonin donacionin shqiptar.
"Le ta pyesim sot Edi Ramën, mor zotëri, ky vëllai yt Vuçiç, çfarë faktesh ka që po terrorizohen serbët në Kosovë? Je ti dhe ai që keni kërcënuar prej disa muajsh për luftë në Kosovë. Gjer sa mori kartonin e kuq nga NATO. Kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i tha jemi aty, aty është kufiri ynë. Tha ndonjë fjalë ky vëllai i tij në Tiranë? Nuk tha asnjë fjalë!", vijoi Berisha.
Berisha përsëriti akuzat se Rama është shndërruar në ‘vasal’ të Aleksandër Vuçiçit. Ish-Kryeministri i bëri këto deklarata nga Dibra, ku u ndal në një bashkëbisedim me mbështetësit e tij.