Berisha “dhëmbë për dhëmbë” me Britaninë: Ata nuk dënuan asnjë për skemat gjigante piramidale, ne i burgosëm njëri pas tjetrit

17 June 2024, 20:57Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha “dhëmbë për dhëmbë” me
Ish-kryeministri Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha duket se nuk e ka pritur lehtë refuzimin për heqjen e “non-gratës” nga Britania e Madhe.

Gjatë mitingut të mbajtur ditën e sotme nga dritarja e shtëpisë së tij, ku ndodhet nën arrest për korrupsion dhe shpërdorim detyre, çështja e “non-gratës” në Britani ishte tema kryesore e fjalimit të tij.

Berisha nuk ngurroi të akuzojë për një “korrupsion transnacional” mes krerëve të lartë të qeverisë shqiptare, ambasadorëve të huaj dhe personazheve të tjerë, që sipas tij kanë bashkëpunua për ta shpallur të padëshiruar.

Ai shkoi edhe më tej duke thënë se qeveria e tij nuk investoi asnjë qindarkë në skemat piramidale, ndërsa qeveria britanike jo vetëm që investoi miliona, por nuk u përball kurrkush me ligjin.

“Por e vërteta është, me gjithë dhimbjen që kam pasur dhe kam për atë krizë, shpreh një mirënjohje të veçantë ndaj parlamentit britanik, i cili në raportin e tij të vitit 2009 për piramidat më gjigante që shpërthyen në City-n e Londrës, shkruan: ky raport titullohet ‘Vjedhja më e madhe në histori’, dhe shkruan, bankierët, tregtarët, financierët e City-t ndërtuan skemën piramidale më të madhe të kohërave, por sot gangsterët e Tiranës që ndërtuan firmat piramidale, i kanë lakmi këta zotërinj që u sollën njëlloj si ata, sepse gangsterët e Tiranës u burgosën njëri pas tjetrit dhe se ligji atë kërkonte.

Sepse kompanitë e tyre u falimentuan njëra pas tjetrës dhe se ligji atë kërkonte. Dhe se qeveria e Tiranës nuk vendosi një qindarkë në skemat, ndërkohë që në Britaninë e Madhe asnjë njeri nuk u përball me ligjin dhe qeveria injektoi sasi kolosale parash në piramidën më të madhe në histori.

Pra, në qoftë se në Britani për këtë nuk lëvizi kush në vendin e punës, sot korrupsioni transnacional përdor qëndrimet ligjore të Sali Berishës si provë për të ndëshkuar, për të përjashtuar atë”, tha ndër të tjera Berisha.


Video