Deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti në komisionin hetimor për të dhënat e sistemit TIMS hodhi poshtë kërkesën e saj për të thirrur dëshmitar Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, pasi sipas saj po bënte ironi.
Sipas Gjylametit, komisioni është ngritur për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në 2 gusht të vitit 2023, dhe theksoi se duhet të kuptohet se çfarë ka ndodhur me sistemin jo me individë.
‘Ju jeni fije-fije. Ç'të bëjmë diversion midis jush, midis nesh edhe ka bazë. Dëshira e madhe të bën të mbash qëndrime që as vetë nuk i beson por të marrësh ironinë për të vërtetë, dhe më pas të ndërtosh një fabul të tërë për të nxjerrë Romeon nga ballkoni është e tepërt. Duhet të jemi pakëz më serioz. Për këtë gjë i nderuar kryetar nuk ka nevojë të na tërheqë veshin njeri. Nuk dalim ne të themi ç’janë këto. Unë i qëndroj fjalëve që them dhe kur bëj ironi ma mbani për të tillë. E dëgjova më vëmendje Salianjin pasi tha se do të thirren drejtues ndër vite të policisë së Shtetit. Kur unë ngrita këtë shqetësim ka të bëjë me elementin që është ngritur ky komision, se çfarë ka ndodhur në 2 gusht 2023 dhe jo për të hetuar ministra e ish-ministra. Ligji i ri e cakton në nenin 15, ku planin hetimor e propozojnë ekspertë që duhet ti votojmë së bashku e pastaj thërrasim dëshmitarët. Ironinë mos e shit si të vërtetë. I vijoj thirrjes nëse gjatë hetimit del një element tjetër. Ne duhet të kuptojmë kush është përgjegjësi.’- tha Gjylameti.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar të TIMS, Ervin Salianji gjatë mbledhjes u bëri thirrje institucioneve që mos të bëjnë falsifikime për këtë çështje.
“Ka një thirrje për institucionet, sidomos për Policinë që të mos falsifikojë proces-verbale apo protokolle apo akte të tjera, që do jenë objekt i këtij Komisioni Hetimor. Unë besoj se një kontribut do ketë edhe nga PS, se dihet se ata e duan shumë reformën në drejtësi”, tha ai.