Kandidati i Rithemelimit për Bashkinë e Tiranës, që në zgjedhjet e 14 majit vendosi rekordin e humbjes më të thellë të opozitës përballë Erion Veliajt, doli këtë të mërkurë në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.
Belind Këlliçi doli nga foltorja e Foltores në selinë e Partisë Demokratike pa vulë për të denoncuar, sipas tij një e-mail orgjininal që na provon se si Edi Rama dhe Erion Veliaj janë të përfshirë në dosjen e inceneratorit të Tiranës.
Konferenca e thirrur, sikur Këlliçi kishte shpikur rrotën u pasqyrua edhe në faqen zyrtare të PD-së së Rithemelimit me titull “Përfshirja e Ramës dhe Veliajt në inceneratorin e Tiranës/ Belind Këlliçi: Prova e komunikimit me email ‘arma që nxjerr tym’. Do t’i dërgohet personalisht Altin Dumanit, kreut të SPAK”.
Më shumë se sa një deklaratë serioze e opozitës, titulli i përdorur në këtë gjoja denoncim të Belind Këlliçit, ku futen në një fjali fjalët ‘armë’, ‘tym’, ‘Altin Duman’ dhe ‘SPAK’ është një titull ‘karrem klikimesh’ që përdoret rëndom nga portalet.
Pse? Sepse nëse sheh përmbajtjen e e-mailit të denoncuar nga Këlliçi, aty flitet për një komunikim mes përfaqësuesve të kompanisë së inceneratorit, që pretendojnë se kanë takuar administratorin shtetëror të pasurive të sekuestruara.
Nëse takimi ka ndodhur, apo jo mbetet ende për t’u provuar. Por, edhe nëse merret e mirëqenë se takimi mes përfaqësuesve të kompanisë së inceneratorit dhe administratorit shtetëror ka ndodhur, ai nuk e lidh në asnjë moment kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj me këtë çështje.
E para, sepse administratori shtetëror, në këtë rast i inceneratorit të Tiranës, nuk është caktuar nga Bashkia e Tiranës, por nga vetë Agjencia për Administrimin e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, që është në varësi të Ministrisë së Financave dhe së dyti, përmbajtja e mesazhit nuk lidh as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi administratorin shtetëror me Erion Veliajn.