Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se grupi i Rithemelimit të Sali Berishës së bashku me Edi Ramën dhe qeverinë e tij po sulmojnë drejtësinë e re, për të cilën “janë penduar” tashmë.
GJatë takimit me një grup demokratësh në Tiranë, Basha tha se politikanët të cilët për 33 vite nuk kanë pyetur për drejtësinë, sot janë hedhur në sulm ndaj SPAK-ut, që në fakt po lufton korrupsionin në vend.
Basha tha se ai dhe PD-ja e drejtuar prej tij, e mbështet 100% SPAK-un.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Lufta për interesa personale për dy vite brenda PD, ka ardhur me një faturë shumë të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një pjesë prej nesh e ka përjetuar atë kohë kur Shqipëria nuk kishte opozitë. Ne nuk mund dhe nuk duhet të kthehemi në atë kohë. Tani që hetimet e SPAK po rrëzojnë njeri-pas tjetrit, i janë turur për ta sulmuar. Dhe kjo nuk është kohë për dilema, por për qëndrime të qarta: e mbështesim apo jo drejtësinë.
Përballë kemi një kastë politikanësh që për 33 vite nuk kanë pyetur për ligjin. Ndaj, këta politikanë duhet t’i pyesim: Duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un? Tani që drejtësia ka nisur të veprojë, duhet apo nuk duhet ta mbështesim SPAK-un. E kuptojmë Edi Ramën që është bërë pishman për drejtësinë e re. A nuk është kjo koha që opozita t’i qëndrojë në krah për të vënë para ligjit pandëshkueshmërinë. Si mund të jesh kundër drejtësisë, kur je kundër korrupsionit? PD e ka zgjidh këtë dilemë, 100% në mbështetje të SPAK-ut dhe drejtësisë.