
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar a pas paraqitjes së kërkesave të protestuesve në tubimin e zhvilluar para Kryeministrisë, të lexuara nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla deklaroi se me daljen e Goxhajt në emër të protestuesve “u zbardh plotësisht skenari” i protestave, duke e cilësuar atë si “zëdhënës të Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri”.
Sipas Ballës, Goxhaj ka mbajtur prej kohësh qëndrime publike në mbështetje të regjimit iranian, ndërsa ka kritikuar Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Shqipërinë.
“Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti ‘zëdhënësi’ i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri”, shkroi Balla, duke shtuar se e konsideron të papranueshme që një ish-pjesëtar i UÇK-së të mbrojë, sipas tij, interesat e Teheranit kundër aleatëve perëndimorë.
Në reagimin e tij, deputeti socialist theksoi gjithashtu rolin e SHBA-ve në çlirimin e Kosovës, duke deklaruar se pa mbështetjen amerikane, pavarësia dhe liria e Kosovës nuk do të ishin të mundura.
Balla e mbylli reagimin me kritika ndaj pjesëmarrësve në protestë, duke pretenduar se identiteti dhe qëllimet e organizatorëve po bëhen gjithnjë e më të qarta.
Reagimi i tij vjen pak pasi grupi koordinues i protestës publikoi listën e kërkesave drejtuar qeverisë, ku përfshihen dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike dhe një sërë ndryshimesh kushtetuese e ligjore.