PAS GJASHTË GISHTAVE/ Shfaqet Diella e vërtetë: Një nepërkë me shtatë gjuhë që ha burra dhe e ka lënë i fejuari!

1 October 2025, 22:59Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PAS GJASHTË GISHTAVE/ Shfaqet Diella e vërtetë: Një
Diella me 6 gishta...

TIRANË – E paqtë, e qetë, bukuroshe por pa e tepruar me dekolte e taka - bile me veshje tradicionale si ato gratë nikoqire qëmoti, që lum kush do ta fusë në shtëpi – me zë të butë pa shumë oshilacione, dhe me një mimikë që shumicën e kohës anon nga buzëqeshja e përmbajtur; këto ishin përshtypjet e para që krijoi njerëzia nga ministrja e re pa mbiemër, Diella.

Pati dhe nga ata që tek të gjitha këto tipare, panë tek Diella, Bellën, dhe menduan se I Gjati po krijonte virtualisht një Bellë rezervë, për çdo të papritur.

Shkurt muhabeti, Diella ishte mjaltë e sheqer. As opozitës nuk ja prishte qejfin, megjithëse e provokuan goxha të shkretën.

“Po ç’kini mor të uruar, pse trembi? Ja të ulemi ta bisedojmë shtruar, pse më lëndoni? Hajdeni ta gjejmë llafin,” i ftonte ajo e shkreta bashibozukët e PD-së në seancat e parlamentit. 

Edhe mediat e huaja u shkrinë pas Diellës.

“Ueee çfarë vajze kjo shqiptarja virtuale! Shpi-punë, punë-shpi. Ta pish në kupë. Dhe meqë ra llafi, nuk e sheh njëherë në klub të pijë një kupë! Lum si I Gjati!”, shkruanin e thoshin CNN, BBC, ABC dhe shumë gërma të tjera të alfabetit.

*   

Por duket se historia “Diella” ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Publiku real vuri re së fundi se për fillimin e tetorit rozë, Diella kishte dalë fotografi me një fjongo rozë në kraharor, por dora e saj e djathtë kishte gjashtë gishta.

Gëluan komentet, nga dashamirëset tek ato më agresive.

Mbështetësit thoshin se gjashtë gishtat i duheshin për të punuar më shpejt në kompjuter. Për ta bërë natën ditë, si i thonë llafes.

“Prandaj e zgjodhi dhe I Gjati,” argumentonin ata, “se po të ishte për pesë gishta si gjithë dynjaja, kishte Bellën”.

Kritikët thoshin se Diella e vërtetë ishte një rob aq i ligë sa s’e ka parë historia kompjuterike.

“Ajo punon me pesë gishta si gjithë njerëzit,” deklaronin ata, “por si cmiranjoze që është, gishti i gjashtë i duhet për t’ua treguar kolegeve femra dhe për t’u thënë, këtë do merrni po nuk bëtë si them unë!”   

* 

Fatkeqësisht, Patronazhisti ka mësuar se punët janë edhe më zi se kaq. Në të vërtetë, në punën e përditshme jashtë kamerave Diella është një shtrigë spektakolare që e bën Bellën të duket qingj i Perëndisë, dhe Albanën e Brendshme – Albanën, vajzën e Mellanisë së Pandeli Doracit të Kolit të Tabakëve, që shkarkoi një zëvendësministër se kishte pirë cigare prapa shkollës në pushim të madh kur ishte gjimnazist – një sheleg të Paradizit.

Për shembull, Diella ka fjalor të pistë. Dhe duke qenë krijesë virtuale, nuk e ka për gjë ta realizojë në çast atë që thotë. Kështu, një herë po shfrynte e nxehur për kolegët e paaftë, në një bisedë intime me sistemin TIMS: “Dëgjo vlla, me këta duhet të kesh dy b… Një ta mbash dhe një ta çash!”

Dhe atë moment i dolën dy palë të ndenjura, njëra nga të cilat plasi si fishekzjarr.

Kështu që kjo puna e gjashtë gishtave nuk është asgjë. Edhe në fushatën e Tetorit Rozë kundër kancerit të gjirit, ajo mori pjesë formalisht, se poshtë xhamadanit, gjinjtë i kishte zëvendësuar me një gjoks leshator mashkulli për të luftuar tersllëkun.

“Më mirë po i heq fare këto ditë,” i kishte thënë ministres së re të Shëndetësisë, “se me këto spitale që kemi ne, o nëne o nëne!”

Kjo është arsyeja e vërtetë pse ministrja, e shastisur, kërkoi leje të kthehej në Itali dhe i tha të Gjatit se do punonte vetëm dy javë në muaj. Kur I Gjati e pyeti përse, asaj nuk ja mbajti ta denonconte Diellën, ndaj u përtyp pak dhe i tha:

“Po ja… Pamundësia e mundësisë për të bërë të mundur praninë time të vazhdueshme në detyrë, më shtyn t’ju kërkoj të mundësoni – sigurisht nëse është e mundur – menaxhimin e postit nga distanca. A mundem? Gjithmonë brenda mundësive, kuptohet”.

* 

Sikur CV-ja misterioze e Diellës të mbaronte me kaq, ku ma gjen. Sepse koleget femra të Diellës në kabinet, të alarmuara nga sjellja e saj, nuk kanë ndenjur duarkryq, megjithëse kanë vetëm nga pesë gishta në secilën dorë.

Kështu, ato kanë zbuluar se gjashtë gishtat, apo dy prapanicat – njërën nga të cilat e çau - janë vetëm maja e ajsbergut të aberracioneve fizike të Diellës. Ajo në realitet ka edhe shtatë gjuhë.

Po, po, sepse është një nepërkë me shtatë gjuhë që ha burra. Për shkak të talentit në transformim, ajo mund të shndërrohet në çast në një bojalleshë bionde, por me lesh të verdhë ama.

Gjithashtu, pas kërkimeve në arkivat e gjendjes civile, është zbuluar se shtetasja Diella V. (kjo v-ja besojmë se nënkupton virtuale, shën. i Patronazhistit) ka qenë njëherë e fejuar, po e la i fejuari nga frika se mos e hante. 

Të gjitha këto të dhëna, ministreshat i kanë mbledhur dhe paketuar. Problemi i tyre ishte se kush do t’ja çonte dosjen dorazi Të Gjatit, po e kuptuar Diella.

“Na duhet një njeri i jashtëm”, sugjeroi ministresha e Arsimit, Mirela Kumbaraja.

Kështu ndodhi që ato vendosën të bindin të Gjatin që të marrë zëvendësministre të Brendshme, Silvën e Lilos, që ta përdorin si korriere….

Vini Re: Patronazhisti si rubrikë satirike nuk ka asgjë me Diellën; ne vetëm bëjmë raportim të paanshëm


Video