Policia nuk e ka ekzekutuar ende vendimin e Apelit të GJKKO për ish-shefin e operacionales Oltion Bistri. Sipas informacioneve, Bistri nuk është gjetur në banesë nga forcat e policisë. Ai ndodhet prej muajsh jashtë Shqipërisë.
Apeli i Posaçëm e dënoi ish-shefin e Operacionales një ditë më parë me 11 vite burg për dosjen "Metamorfoza", që me gjykim të shkurtuar shkon në 7 vite e 4 muaj burg, por sipas përllogaritjeve që kanë bërë prokurorët e SPAK i kanë mbetur për të kryer 3 vite, 10 muaj e 14 ditë burg.
Një ditë më parë Apeli e shpalli fajtor edhe për veprat penale korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndërsa shkalla e parë në 2025 e kishte dënuar vetëm për zbulimin e akteve apo të dhënave sekrete.
Vendimi riktheu edhe konfiskimin e pasurive të tij, 3 apartamente dhe 2 dyqane, si dhe 1 milion euro në cash.
Oltion Bistri u arrestua më 27 korrik të vitit 2023, dhe qëndroi në qeli deri më 18 nëntor të vitit të kaluar, kur Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar urdhëroi lirimin e menjëhershëm, pasi koha e dënimit rezultoi të ishte shlyer në paraburgim, ku ai qëndroi afro 2 vjet e 4 muaj, të cilat i llogariten në 3 vjet e 6 muaj.
Dosja “Metamorfoza” nxori në dritë lidhjet e biznesmenit të kazinove Pëllumb Gjoka me drejtues policie dhe anëtarë të grupit të Bajrave në Shkodër. Ish-kreu i Operacionales, Oltion Bistri e paralajmëronte Gjokën për kontrollet e policisë dhe e siguronte se kazinoja e tij në Tiranë do të mbetej e paprekur.
Dosja zbuloi edhe përfshirjen e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita i dënuar në shkallë të parë për nxjerrje të të dhënave sekrete dhe dy episode korrupsioni pasiv.