Drejtori i Përgjithshëm i Doganave prezanton kreun e ri të Degës së Doganës Tiranë!

27 February 2026, 14:01Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave prezanton kreun e ri të
Besmir Beja/ Erjon Riçku

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, prezantoi përpara stafit të administratës doganore të Tiranës, kryetarin e ri të kësaj dege, Erjon Riçku, i cili merr detyrën në vijim të drejtimit trevjeçar të Ermal Shemës në një prej pikave më të rëndësishme të Administratës Doganore në vend.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm falënderoi z. Shema për angazhimin dhe drejtimin e deritanishëm, duke vlerësuar kontributin dhe bashkëpunimin e tij gjatë kësaj periudhe.

Duke prezantuar kreun e ri, Beja theksoi se Erjon Riçku vjen nga një eksperiencë e gjatë dhe e suksesshme në administratën shtetërore, çka përbën një vlerë të shtuar për drejtimin e Degës së Doganës Tiranë.

Ai nënvizoi se përpara strukturës që ai do të drejtojë qëndrojnë sfida të rëndësishme dhe nevoja për përmirësimin e mëtejshëm të shumë aspekteve të punës.

Drejtori i Përgjithshëm theksoi se zbatimi i ligjit duhet të jetë parimi udhëheqës i çdo veprimtarie, ndërsa objektivat dhe plani i punës duhet të orientohen drejt rritjes së efikasitetit, transparencës dhe cilësisë së shërbimit.

Në fokus, shtoi ai, duhet të jetë ndërtimi i një shërbimi model ndaj biznesit, ku kujdesi ndaj qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë, sjellja profesionale dhe etika në komunikim të jenë standard i përditshëm pune.

“Dogana e Tiranës është fytyra e administratës doganore. Mënyra si funksionon dhe si sillet me biznesin dhe qytetarët reflekton drejtpërdrejt imazhin e institucionit tonë”, theksoi Beja, duke kërkuar angazhim maksimal nga i gjithë stafi për përmbushjen e objektivave të vendosura.


Video