
Një person humbi jetën gjatë protestave të së shtunës në Paris, si pasojë e arrestit kardiorespirator, raporton France 24. Autoritetet franceze bëjnë të ditur se vdekja nuk kishte lidhje me veprimet e policisë apo me përplasjet gjatë demonstratave.
Ndërkohë, bilanci i protestave është rënduar edhe nga dëmet e shumta materiale. Rreth 1 500 dyqane dhe biznese u dëmtuan në të gjithë Francën, shumë prej të cilave u plaçkitën.
Alexandre Bompard, kreu i Federatës së Tregtisë dhe Shitjes me Pakicë, deklaroi për televizionin LCI se dëmet financiare pritet të arrijnë në qindra miliona euro. Ai theksoi se është ende herët për të përcaktuar një shifër të saktë.
Gjatë protestave, policia arrestoi më shumë se 1 800 persona në Paris, një shifër rekord sipas prefekturës së policisë së kryeqytetit. Prokuroria bëri të ditur se 517 persona vijojnë të mbahen në paraburgim, prej të cilëve 346 të rritur dhe 171 të mitur. Autoritetet sqarojnë se shifrat janë paraprake dhe mund të ndryshojnë.

Shumica e arrestimeve lidhen me dyshime për vjedhje dhe mbajtje të sendeve të vjedhura, bashkëpunim për kryerjen e akteve të dhunshme dhe vandalizëm.
Të shtunën, dhjetëra mijëra persona marshuan në zonat lindore dhe veriore të Parisit. Gjatë demonstratave u dëgjuan thirrje kundër policisë dhe slogane që kërkonin dorëheqjen e presidentit francez Emmanuel Macron.
Kryebashkiaku i Parisit, Emmanuel Grégoire, deklaroi se shumica dërrmuese e demonstruesve dëshironin të protestonin në mënyrë paqësore, por dënoi aktet e vandalizmit, të cilat sipas tij dëmtuan qëllimin e protestës.
Përpara nisjes së marshimit të autorizuar në sheshin Place de la République, policia përdori gaz lotsjellës dhe ndërhyri për të shpërndarë turmat.

Në përgjigje të situatës, kryeministri francez Sébastien Lecornu ka njoftuar një takim urgjent ndërministror në orën 19:00, ku do të diskutohen pasojat për ekonominë dhe tregtinë, çështjet e sigurimeve dhe procedurat ligjore pas akteve të vandalizmit dhe plaçkitjeve.
Zyra e kryeministrit bëri gjithashtu të ditur se Lecornu do të takohet me kryebashkiakët e Parisit, Marsejës dhe Lionit, në një datë që ende nuk është përcaktuar.