
Mijëra qytetarë në Portugali po mobilizohen në protesta kundër rritjes së kostos së jetesës, në një valë demonstratash që po përfshin disa vende të Evropës. Lëvizjeve për të drejtat e strehimit u janë bashkuar sindikatat e lidhura me konfederatën sindikale CGTP, të cilat kërkojnë rritje të pagave dhe pensioneve, përmirësim të shërbimeve publike dhe masa për përballimin e krizës ekonomike.
Protestat janë organizuar nën sloganin: “Paga më të larta, pensione dhe shërbime publike më të mira. Kundër kostos në rritje të jetesës. Një kurs i ri për Portugalinë!”. Tubime janë planifikuar në qytetet Porto, Koimbra dhe Lisbonë.
Kriza e kostos së jetesës po rëndon mbi familjet në mbarë Evropën, për shkak të çmimeve të larta, kostove të karburantit dhe mungesës së banesave me çmime të përballueshme. Këto problematika kanë nxitur qytetarët të dalin në rrugë për të kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve.
Një zëdhënës i CGTP-së, duke folur për televizionin SICN në Koimbra të shtunën në mëngjes, theksoi se rritja e çmimeve po e bën gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve bazë nga familjet.
Në Porto, marshimi nisi rreth orës 10:30 nga sheshi Praça da Batalha dhe ishte planifikuar të përfundonte në Praça D. João I, një zonë ku gjatë gjithë javës janë zhvilluar protesta kundër krizës së strehimit.
Një nga organizatorët e protestës në qytet, Pedro Manuel, deklaroi se lëvizja mbështetet nga qytetarë me bindje të ndryshme politike dhe nuk është e lidhur institucionalisht me asnjë parti. Sipas tij, demonstratat janë një reagim ndaj situatës së krijuar dhe një mënyrë për të kërkuar ndryshime.
Edhe José Manuel Pureza, përfaqësues i Bllokut të Majtë, i tha Associated Press se çështja kryesore që kërkojnë të ngrenë protestuesit është e drejta për strehim për të gjithë.
Ai vuri në dukje vështirësitë me të cilat përballen qytetarët për shkak të rritjes së qirave dhe kostove të kredive hipotekare, të cilat po rëndojnë gjithnjë e më shumë buxhetet familjare.
Protestuesit kërkojnë që kriza e strehimit dhe rritja e kostos së jetesës të marrin vëmendjen e duhur nga autoritetet, ndërsa organizatorët kanë theksuar se demonstratat po zhvillohen në mënyrë paqësore.