Një tjetër goditje për Facebook, edhe Android i Google do të forcojë rregullat e privatësisë

20 February 2022, 15:23Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një tjetër goditje për Facebook, edhe Android i Google do të

Plani i Google për të kufizuar gjurmimin e të dhënave në shfletuesin e tij Chrome është zgjeruar për të mbuluar edhe aplikacionet në telefonat inteligjentë të bazuar në sistemin e saj Android.

Projekti i tij i ashtuquajtur Privacy Sandbox synon të frenojë sasinë e të dhënave të përdoruesit që reklamuesit mund të mbledhin. Rivali Apple tani detyron zhvilluesit e aplikacioneve të kërkojnë leje nga përdoruesit përpara se t'i gjurmojnë ata.

Lajmi është një goditje për Facebook dhe Instagram, të cilat mbështeten në vendosjen e kodit të tyre në aplikacione për të gjurmuar sjelljen e konsumatorëve. Kompania Meta tha këtë muaj se ndryshimet e Apple do t'i kushtonin 10 miliardë dollarë këtë vit. Sistemi operativ Android i Google përdoret nga rreth 85 për qind e personave me telefona inteligjentë në mbarë botën dhe humbja për kompaninë e Zuckerberg përllogaritet disafish më shumë.

Cookie-t e palëve të treta, të cilat përdorin historinë e shfletimit të njerëzve për orentime marketingu, do të hiqen gradualisht në shfletuesin Chrome të Google deri në vitin 2023.

Në një blog, Google tha se tani po zgjeronte atë që e quan Privacy Sandbox në aplikacionet Android dhe po punonte për zgjidhje që do të kufizojnë ndarjen e të dhënave të përdoruesve dhe "të funksionojnë pa identifikues ndëraplikacionesh, duke përfshirë ID-në e reklamës".

Këta identifikues janë të lidhur me telefonat inteligjentë dhe përdoren nga aplikacionet për të mbledhur informacion. Google tha se politikat aktuale do të jenë në fuqi edhe për të paktën dy vjet, ndërsa punon "me industrinë" në një sistem të ri.

“Ne po eksplorojmë gjithashtu teknologji që zvogëlojnë potencialin për mbledhjen e fshehtë të të dhënave, duke përfshirë mënyra më të sigurta që aplikacionet të integrohen me SDK-në e reklamave”, njoftoi kompania.

Gjiganti i teknologjisë nuk ka dhënë detaje se si planifikon ta bëjë këtë. Apple vendosi në prill të vitit të kaluar që zhvilluesit e aplikacioneve duhej të kërkonin në mënyrë eksplicite leje nga përdoruesit për të përdorur IDFA (Identifikuesi për reklamuesit). Të dhënat nga kompania e reklamave Flurry Analytics dhe të publikuara nga Apple, sugjerojnë se përdoruesit amerikanë po zgjedhin të heqin dorë nga gjurmimi në 96 për qind të rasteve.

Blogu i Google nuk përmendi emrin Apple, por në vend të kësaj iu referua "platformave të tjera" për të cilat tha se "kanë marrë një qasje të ndryshme ndaj privatësisë së reklamave, duke kufizuar drejtpërdrejtë teknologjitë ekzistuese të përdorura nga zhvilluesit dhe reklamuesit".

"Ne besojmë se pa ofruar më parë një rrugë alternative për ruajtjen e privatësisë, qasje të tilla mund të jenë joefektive", deklaroi kompania.

Google, ndryshe nga Apple, mbështetet në të ardhurat nga reklamat. Përpjekjet e Google për të krijuar alternativa ndaj Cookie-t e palëve të treta në shfletuesin e saj Chrome nuk kanë ecur plotësisht pa probleme.

 


Video