
Instagram po eksploron mënyra të reja për të verifikuar moshën e adoleshentëve që përdorin platformën dhe për t’u siguruar që rregullat e përdorimit të rrjetit social zbatohen.
Aplikacioni në pronësi të Meta po teston video selfie me softuerin analizues të fytyrës si një metodë e re e verifikimit të moshës.
Disa përdorues në Instagram përpiqen të anashkalojnë rregullin e moshës mbi 13 vjeç, duke modifikuar datën e lindjes për t'i bërë ata të duken mbi 18 vjeç.
Por adoleshentëve amerikanë që e bëjnë këtë do t'u jepen tani tre mënyra për të verifikuar moshën: të ngarkojnë ID-në, t'u kërkojnë tre përdoruesve të rritur të dalin garant për ta, ose të bëjnë një video selfie.
Meta thotë se shpreson se metodat e reja do të sigurojnë që adoleshentët të kenë një "përvojë të përshtatshme për moshën" e tyre në Instagram.
Gjigandi i teknologjisë është përballur më parë me kritika për sigurinë e adoleshentëve dhe fëmijëve në platformat e tij. Disa shtete amerikane hetuan Instagramin vitin e kaluar mbi përvojat e fëmijëve në aplikacionin e ndarjes së fotografive, në përgjigje të rrjedhjeve nga sinjalizuesi i Facebook, Frances Haugen.
Sipas ndryshimeve të reja, Instagram do t’u rekomandojë automatikisht adoleshentëve më shumë materiale edukuese e argëtuese dhe jo përmbajtje që mund të jenë të papërshtatshme për moshën e tyre.